Oni Pustina “zhvat” familjen Toromani
Motra e Anbeta Toromanit padit në gjykatë modelin se i ka marrë padrejtësisht një shumë prej 45 000 eurosh
Modeli i famshëm shqiptar, i bërë i njohur në televizionet italiane, duket se nuk i ka punët dhe aq mirë. Pas ndarjes me balerinën Anbeta Toromani tashmë ai duhet të përballet me një tjetër pjesëtare të familjes Toromani. Këtë herë nuk bëhet fjalë për një histori dashurie të nisur plot pasion dhe të përfunduar me ose pa bujë, por bëhet fjalë për një proces gjyqësor.
Bujana Toromani, njëra nga motrat e balerinës Anbeta Toromani, ka paditur në gjykatë Fation Pustinën pasi, sipas saj, ai i ka marrë padrejtësisht një shumë prej 45 000 eurosh nga llogaria e përbashkët bankare. Motra e balerinës ka qenë për disa kohë menaxhere e dyqanit të veshjeve në pronësi të modelit.
Padia
Në padinë e depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës thuhet se për shkak të disa marrëdhënieve familjare, dy personat kanë pasur një llogari të përbashkët bankare. Më datë 06.11.2009, i padituri Fation Pustina ka tërhequr nga kjo llogari një shumë prej 50850 eurosh. “Është e vërtetë se llogaria bankare ishte në emrin e të dyve, por fakti është se me tërheqjen që ka bërë i paditur, ka tërhequr edhe një shumë që efektivisht ishte e Bujana Toromanit”, - thuhet në padi.
Fakti është se po më datë 06.11.2009, në llogarinë në fjalë është derdhur një shumë prej 45 000 eurosh nga motra e paditëses, Eltona Toromani, si kthim borxhi që kjo e fundit i kishte së motrës. Sipas padisë, ky fakt tregohet edhe nga përshkrimi që i është bërë veprimit bankar të derdhjes së shumës prej 45000 eurosh, ku është shënuar pikërisht “kthim borxhi”. Pra shuma prej 50 580 eurosh e tërhequr nga Fation Pustina ka përfshirë pa të drejtë edhe shumën prej 45 000 eurosh, e cila nuk ishte e përbashkët si shumat e tjera në këtë llogari të përbashkët, por ishte specifikuar saktë si një shumë që i përkiste veçmas Bujana Toromanit, për shkak të kthimit të huas që i kishte bërë e motra.
Në këtë kuptim, duke tërhequr shumën prej 50 850 eurosh, Pustina ka fituar pa shkak juridik edhe shumën prej 45 000 eurosh që i përkiste paditëses si pjesë e të ardhurave të saja personale. “Duke marrë të mirëqenë se i padituri nuk ishte në dijeni për prejardhjen e kësaj shume krahasimisht të madhe me gjendjen e mëparshme të llogarisë, në çdo rast shuma prej 45 000 eurosh që ai ka tërhequr e ka begatuar pa shkak duke qenë se ajo shumë parash që është derdhur në atë llogari për efekt të kthimit të borxhit që paditësja duhet të priste nga e motra. Në këto kushte, Bujana Toromani është tërësisht e legjitimuar që të kërkojë kthimin e kësaj shume nga Fation Pustina”, – mbyllet padia.
Anbeta Toromani dhe Fation Pustina, shkëlqimi dhe rënia e një çifti
Rreth 4 vite më parë u përhap lajmi për lidhjen e balerinës së famshme shqiptare, Anbeta Toromani me modelin po aq të suksesshëm, Fation Pustina. Gjatë gjithë këtyre viteve çifti në fjalë ka qenë ndër më të përfolurit në faqet rozë të gazetave lidhur me dashurinë midis tyre. Por vetëm disa muaj më parë, në nëntor të 2009-s, Fation Pustina dhe Anbeta Toromani, edhe pse jo në mënyrë zyrtare, deklaruan ndarjen e tyre. Të kontaktuar nga media të ndryshme, asnjëri nga të dy nuk ka pranuar të japë detaje mbi ndarjen e papritur.
Në një tjetër intervistë të para disa kohëve, modeli ka treguar për të dashurën e vet se “është shumë e dashur në jetën private me mua dhe miqtë, pasi është ajo që na mbledh të gjithëve në shtëpinë tonë në Romë… Jemi duke e menduar sjelljen në jetë të një fëmije, por ajo që mund të quhet pengesë është puna e Anbetës, e cila, për hir të së vërtetës, është në kulmin e karrierës, ndërkohë që ka oferta nga SHBA, Spanja apo Vietnami…. Një ceremoni martese? Jo s’ka për të ndodhur asnjëherë. As unë, as Anbeta nuk e kemi me qejf një ceremoni të tillë. E rëndësishme është që ndihemi mirë, rrimë bashkë”.
Balerina e mirënjohur nuk është prononcuar kurrë për lidhjen e saj për mediat shqiptare. Madje marrëdhënia e saj e dashurisë është zbuluar vetëm në verën e vitit 2006, kur Anbeta Toromani dhe Oni Pustina kanë bërë pushimet e para si çift në Shqipëri (Dhërmi). Ajo është treguar hermetike për të folur, por më pas vizitat e rralla së bashku me Onin në Shqipëri nuk kanë munguar. Ata janë prezantuar edhe në Itali së bashku, në një intervistë të dhënë për mediat atje.
23 Janar 2010