Universiteti i Tiranës, pyetësori për pedagogët, javën e ardhshme në duart e studentëve
Jonida Tashi
Pyetësori që do të plotësojnë studentët për vlerësimin e pedagogëve do të shpërndahet në fillim të javës që vjen në fakultete. Për rrjedhojë, studentët para nisjes së sezonit të parë të provimeve që nis në datën 29 janar, do të bëjnë plotësimin e këtyre pyetësorëve, sipas gjykimit personal për secilin prej tyre. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se tashmë gjithçka është gati dhe pritet të bëhet vetëm shpërndarja e pyetësorëve drejt tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës.
Vendimi
Vendimi që studentët e Universitetit të Tiranës të vlerësojnë pedagogët nëpërmjet pyetësorëve është marrë fill pas nisjes së vitit të ri akademik 2009-2010, nga rektori i këtij Universiteti, Dhori Kule, me qëllim përfshirjen e studentëve në vendimmarrje si dhe ballafaqimin e personelit akademik me të rinjtë. Sipas rektorit Kule, studentët janë në qendër të universitetit dhe për këtë arsye strukturat drejtuese të tij, duhet të angazhohen për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për studentët. Për këtë arsye, duke marrë për bazë modelet e suksesshme anglosaksone dhe të Europës Kontinentale, Kule ka paralajmëruar se studentët do të vlerësojnë pedagogët e tyre dhe modulet mësimore, në çdo fund-semestër, si mënyra më e mirë për të mundësuar “feedback-un” (“prodhimin”) e studentëve ndaj dijeve që ata marrin. “Në fund të semestrit të parë të këtij viti akademik në të gjitha lëndët të të gjitha departamenteve të Universitetit të Tiranës, studentët do të plotësojnë një pyetësor dhe do të vlerësojnë pedagogët dhe modulet. Ne dëshirojmë që me këtë risi, edhe ato elemente të sistemit lindor që kanë mbetur në sistemin tonë arsimor të zhduken dhe të përmirësohen, nëpërmjet këtyre pyetësorëve”,– ka thënë rektori Kule.
Pyetësorët
Pas plotësimit, pyetësorët për pedagogët dhe lëndët përkatëse do të depozitohen në zyrën e çdo dekani, për t’u përcjellë më pas drejt rektorit të Universitetit të Tiranës. Nëpërmjet kësaj metode, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, kërkon të marrë një informacion të saktë për çdo pedagogë që varësi të tij. Ndërkohë që kjo mënyrë vlerësimi parashikohet që të jetë e dobishme edhe për qindra studentë që vijojnë studimet e larta në fakultetet e këtij Universiteti, të cilëve, shpeshherë u është dashur të ballafaqohen me sjellje dhe vlerësime që si kanë merituar nga pedagogët. Pikërisht kjo situatë e vazhdueshme në çdo universitet të vendit ka bërë që të merren masa për zgjidhjen e saj dhe Universiteti i Tiranës është i pari institucion që e ka ndërmarrë për herë të parë këtë iniciativë. Madje, ekzistojnë edhe mjaft raste kur studentëve u është dashur ta marrin me lekë provimin, dhe kjo jo gjithmonë për shkak të vështirësisë së tij, por të pedagogëve. Ky fakt tashmë është pranuar për herë të parë, para pak ditësh edhe nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili u ka bërë apel drejtuesve të arsimit të lartë, që të marrin masa për parandalimin e këtij fenomeni.
Projektet energjetike, Politekniku nënshkruan marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë
Universiteti Politeknik i Tiranës ka nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të ndihmuar këtë të fundit në projektet për fushën e energjetikës. Konkretisht kjo marrëveshje do t’i sigurojë, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, specialistët më të kualifikuar të Politeknikut të cilët do të marrin pjesë në hartimin e projekteve për energjinë. Nevojën për specialistët e Universitetit Politeknik e ka pranuar dje edhe vetë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. “Ne kemi nevojë, sepse në administratën tone nuk kemi një mendim të kualifikuar dhe kaq profesional sa mund ta thithim në raste të veçanta nga universiteti. Kemi nevojë për oponencë teknike shtetërore të cilat kalojnë nga Ministria jonë dhe vetëm Universiteti, profesorët mund të na japin oponencën e duhur për këto projekte teknike”,- u shpreh ministri Dritan Prifti, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Universitetin Politeknik. Në të njëjtën linjë përsa i përket nënshkrimit të marrëveshjes, ka qenë dhe rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kacani, i cili tha se kontributi i specialistëve që ka ky universitet, do të jetë një ndihmë për projektet e rëndësishme që i duhen vendit drejt integrimit në BE. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm dhe dekanë e specialistë të fakulteteve të Politeknikut, si Gjeoshkenca, Informatika, etj.
Viti akademik 2010-2011
Universiteti i Vlorës propozon sërish mesataren si kriter pranimi
Universiteti i Vlorës publikon kriteret e pranimit që do të merren në konsideratë për studentët që do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik në këtë institucion. Zyrtarisht nga ky Universitetet bëhet e ditur se për pranimet e reja do të aplikohen kriteret dhe procedurat e mëposhtme: kandidatët duhet të kenë mesataren e përgjithshme të paktën gjashtë; kandidatët që do të aplikojnë për pranim në degët e Fakultetit të Shkencave Teknike duhet të kenë mesataren e Matematikës të paktën shtatë; kandidatët do t’i nënshtrohen një provimi Matematike që do të vlerësohet me pikë; nëse studenti merr më pak se 50 pikë nga 100 të mundshme, ai duhet të frekuentojë dhe të kalojë kursin e Pre-Kalkulus para se të fillojë studimet me lëndët e programit. Kursi i Pre-Kalkulus është një kurs Matematike që zgjat një semestër dhe programi i tij përcaktohet nga Departamenti i Matematikes me miratimin e zëvendësvrektorit akademik të Universitetit. Ky është një kurs me kredite, por nuk llogaritet për diplomimin e studentit. Deri tani, Universiteti i Vlorës është i pari institucion i arsimit të lartë që ka publikuar propozimet e tij për pranimet e reja të studentëve gjatë vitit të ardhshëm akademik. Një vit më parë, kriteri i mesatares u kthye në një “mollë sherri” midis Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit, pasi rektori i këtij universiteti nuk pranonte të regjistronte kandidatët e shpallur fitues që ishin me mesatare më të ulët se nota 6. Ndërsa Ministria e Arsimit, nga ana e saj, kundërshtonte faktin se e kishte miratuar këtë kriter pranimi, të propozuar nga drejtuesit e Universitetit të Vlorës.
23 Janar 2010