E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit, Tafaj: “Mastera dhe diploma të veçanta në shkencat e edukimit”

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka ritheksuar edhe njëherë nevojën e specializimit të mësuesve për të mbajtur vendet e tyre të punës. Për të rritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla, Tafaj ka bërë të ditur dje se po merren të gjitha masat, që nga konsolidimi i një kurrikule sa më kualitative në shërbim të mësuesisë dhe degëve që përgatitin mësues nëpër universitetet tona, dhe deri tek platformat e veçanta për mastera dhe diploma të nivelit të dytë (DND) në Shkencat e edukimit. Sipas kreut të Arsimit, mësuesit e sotëm duhet ta ndjejnë ndihmesën e institucioneve të tilla si: Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, Agjencisë së Pranimeve në Universitete, Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pasi në plan të parë del aftësimi i tyre i vazhdueshëm në teknologjinë e informacionit dhe përshtatshmëri me kurrikulën e re, sepse, çdo mësues në këtë kuptim, ka nevojë të t’i ndjekë hap pas hapi ato në zhvillimin e shkollës. Deklaratën për specializimin e mësuesve, ministri i Arsimit e ka bërë që në ditët e para të punës së tij në krye të këtij dikasteri. Sipas afatit të vendosur prej tij, mësuesit do të kenë vetëm tre vjet kohë për t’u specializuar në lëndën që japin mësim. Nëse ata nuk do të arrijnë ta kapërcejnë këtë kualifikim, do të largohen nga puna. Për rrjedhojë, duke filluar nga viti 2013, asnjë arsimtar në shkollat e mesme nuk do të punësohet, nëse nuk do të ketë mbaruar një Master, nuk zotëron një gjuhë të huaj, dhe kompjuterin.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›