E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Shendetit Publik Femrat paguhen me pak se meshkujt

Megjithëse gratë shqiptare sot cilësohen gjithnjë e më tepër të kualifikuara profesionalisht, ato vazhdojnë të paguhen më pak se meshkujt.

Instituti i Shëndetit Publik ka vlerësuar nivelin e të ardhurave të femrave kundrejt atyre të bashkëshortëve të tyre ku ka rezultuar se më shumë se gjysma e femrave të martuara - 52% -,treguan se marrin më pak të holla se sa partneri. Kurse thuajse një e treta, - 30% -, marrin të njëjtën shumë dhe vetëm 11% thanë se marrin më tepër të holla se bashkëshorti.

Specialistet vënë re se punësimi dhe të ardhurat kanë më shumë gjasa t’i fuqizojnë gratë nëse të ardhurat e tyre perceptohen si domethënëse kundrejt atyre të bashkëshortëve dhe nëse janë vetë femrat ato që kontrollojnë të ardhurat e tyre.

Në këtë aspekt, tetë në dhjetë 83% gra të martuara që marrin të ardhura vendosin së bashku me partnerin për mënyrën se si i përdorin paratë, 8% të rasteve vendosin kryesisht vetë dhe 9% të femrave është bashkëshorti ai që vendos për përdorimin e të ardhurave të bashkëshortes.

Ndërkohë që për specialistët e shëndetit publik roli i femrës bëhet më i spikatur kur edhe ato marrin pjesë në përdorimin e të ardhurave të bashkëshortëve.

Në këndvështrimin e meshkujve, 50 % vendosin bashkë me partneren për përdorimin e parave që marrin, 45% vendosin kryesisht vetë dhe 5% thonë se është bashkëshortja ajo që vendos.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›