Sanino: Bashkëpunoni për integrimin. Shqipëria në BE, objektivi ynë i përbashkët

Stefano Sanino / Foto arkiv
Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, ka kërkuar sot angazhimin e të gjitha palëve për përmbushjen e reformave që kërkohen për integrimin në BE, duke theksuar se KE është i gatshëm të japë ndihmesën e tij për vënien në zbatim të planit të veprimit.
Duam anagazhimin e të gjitha palëve, edhe të njësive vendore. Kjo është shumë e rëndësishme për BE-në. Kërkohet gjithëpërfshirje në proces dhe angazhim. KE dhe komisioneri Fyle, unë personalisht, do të jemi të gatshëm tu japim ndihmesën tonë, në mënyrë që plani i veprimit të zbatohet plotësisht. Në këtë detyrë, ne jemi partnerë sepse ndajmë të njëjtin objektiv: sjellja e Shqipërisë në BE, theksoi Sanino gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku iu dorëzua nga kryeministri Berisha plani i veprimit për integrimin e vendit.
Ky plan veprimi ka mundin, djersën punën e përbashkët të mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, u shpreh Berisha.
Sanino e cilësoi si konstruktive frymën me të cilën forcat politike kanë punuar kohët e fundit,ndërsa kërkoi që kjo të vazhdojë. Për Saninon, një hap i rëndësishëm që duhet hedhur është heqja e imuniteteve. Ju keni përmendur heqjen e imuniteteve si për deputetët edhe për gjyqtarët. Kjo është një nga shtyllat e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Ne si BE do të mirëpresim një hap të rëndësishëm që do të ishte marrëveshja për heqjen e imuniteteve me dakordësinë e të gjitha forcave politike, tha ai. / G.N.