Kuvendi, debate për privatizimin e Albpetrolit

Kuvendi, foto arkiv
Ashtu siç pritej, privatizimi i Albpetrolit ka ngjallur debate maxhorancë-opozitë në seancën e sotme plenare. Deputeti socialist Erion Braçe, ka kërkuar përgjigje për një sërë pyetjesh drejtuar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço.
Braçe kërkoi përgjigje në lidhje me sasinë e naftës që përfiton kompania Albpetrol në vit dhe vlerën monetare të paktën për 3 vitet në vijim. “Sa janë respektuar marëveshjet e hidrokarbureve të kompanisë albpetrol, dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur ministria?” iu drejtua Braçe ministrit Naço.
Ndërsa sipas kryetarit të Komisionit të ekonomisë, Edmond Spaho, Albpetrol nuk është ndonjë pasuri kaq e madhe dhe si e tillë duhet nxjerrë në shitje me vlera reale. ”Kemi eksperienca që nuk kanë arritur të privatizohen pasi i ka rënë vlera e ndërmarrjes. Prandaj duhet që ndërmarrjen ta nxjerrim në vlera reale, tha Spaho.
* * *
Opozita ka deklaruar se do të votojë kundër privatizimit të Albpetrolit.
Socialistët e kanë kundërshtuar fuqishëm privatizimin e kompanisë së vetme të njerrjes së naftës, duke e argumentuar qëndrimin e tyre me mungesën e plotë të transparencës.
Një tjetër projektligj që nuk pritet të gjejë konsensusin e socialistëve është edhe ai Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, i miratuar disa ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë. Deputetët e eopozitës janë shprehur se ndryshimet në këtë ligj do ti japin qeverisë pushtet absolut
Gjithashtu në rendin e ditës është parashikuar edhe projektligji Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative, i cili kërkon shumicë të cilësuar.
Diskutimet për Gjykatën Administrative u shtynë një ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve, me qëllim ripërcaktimin e termave të disa neneve të projektiligjit. Ndërkohë, një javë më parë, projektligji u miratua në komision me votat e maxhorancës dhe opozitës. / G.N.