E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi Kryetarja e Kuvendit analizon ne ABC News rolin e institucionit te kryesuar prej saj

Proceset integruese dhe roli i parlamentit shqiptar në të ishte një ndër çështjet e diskutuara nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një interviste në studion e “ABC News”. Ndalur në një moment të tillë, kryeparlamentarja Topalli evidentoi faktin se ishte pikërisht opozita parlamentare ajo e cila bllokoi marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Madje, për të argumentuar një qëndrim të tillë, Topalli risolli në kujtesë linjën zyrtare të lidershipit socialist, i cili u diktoi ligjvënësve të PS-së bojkotin ndaj institucionit të Kuvendit, për t’u pasuar me mosvotim të ligjeve që kërkonin 3/5. Sipas saj, integrimi është objektiv kombëtar dhe ligjvënësit e kanë detyrim kushtetues dhe ajo që diktoi kryetar socialist, Edi Rama për të mos votuar, ishte antikushtetuese.
Por, në vlerësimin e saj, është pikërisht politika që ka zgjedhur Rama ajo e cila e çon atë dhe forcën e tij politike nga humbja në humbje. Megjithatë, sipas saj, edhe pse opozita bojkotoi apo dhe nuk votoi ligjet, Kuvendi funksionoi normalisht, pavarësisht se jo në atë masë që do të sillte dhe mesazhin pozitiv nga BE. Gjithashtu, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi si mjaft pozitive rikthimin e opozitës si pjesë aktive në Kuvend, duke sjellë dhe vënien e një ure bashkëpunimi mes PD-PS. Në intervistën e saj, kryetarja Topalli sqaroi dhe lidhur me reformën parlamentare dhe atë zgjedhore. Njëkohësisht, një arrtitje e madhe, sipas Topallit, ishte miratimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2012.
Ndërkohë që një vëmendje të veçantë, kryeparlamentarja i kushtoi dhe marrëdhënies mes Kuvendit dhe Presidencës, ku theskoi se Presidenti ka refuzuar bashkëpunimin me institucionet. Madje, në këtë kontekst, kryeparlamentarja Topalli i mëshoi faktit se gjatë ushtrimit të detyrës së tij në krye të Presidencës, Topi ka shkelur Kushtetutën, në procedurën e emërimeve. Por ndalur në garën e afërt për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Topalli deklaroi se një debat i tillë duhet të nisë pas përfundimit të mandatit të presidentit Topi, pavarësisht se nga ana e tij, Topi, në vlerësimin e Kryetares së Kuvendit, e ka gjetur veten tek Partia Socialiste.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›