KQZ vijon numerimin e votave gabim

Krahas rivlerësimit të fletëve, vijojnë të konstatohen të njëjtat probleme si edhe në ditët e shkuara me kodin e pestë të sigurisë, që mbyll dritaren ku hidhen votat. Kodi i pestë nuk është i pasqyruar në proces-verbalet e grupeve të numërimit. Në një kuti është vërejtur një mospërputhje me njërin prej katër kodeve të sigurisë që mbyllin kapakun e kutisë, mospërputhje që shumica në KQZ ia ka atribuuar një gabimi njerëzor. Po ashtu në kutinë e një qendre votimi janë gjetur fletë të një tjetër qendre votimi.
Në një rast tjetër, një kuti ka qenë e pambyllur mirë dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë thënë se që prej saj mund të nxirren zarfe me fletë votimi. Kryetari Ristani i ka vënë në provë përfaqësuesit e Partisë Socialiste për ta nxjerrë zarfin. Atëhere njëri prej tyre është përpjekur dhe ka mundur të nxjerrë nga kjo kuti e pambyllur mirë një zarf me fletë votimi, duke iu drejtuar kryetarit Ristani me fjalët: "ta gëzoni"! Kryetari i KQZ vendosi që ky rast të hetohet, ndërkohë që përfaqëesuesit e Partisë socialiste thanë se në bazë të ligjit kjo kuti duhet shpallur e parregullt. Nga këqyrja e fletëve u gjetën në zarfin e votave të këshillit, 2 fletë që i përkisnin një tjetër qendre votimi.