E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Lohan: Krimi, trafiqet dhe siguria, sfidat e Shqipërisë



KE-ja vlerëson se lufta ndaj krimit, trafiqeve dhe siguria e kufijve janë sfidat e Shqipërisë për heqjen e vizave dhe integrimin në BE. Sipas KE-së, policia shqiptare është faktor shumë i rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave. Deklarata është e ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, dje gjatë progres-raportit të projektit të Pameca-s për Policinë e Shtetit. Sipas ambasadorit Lohan, lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe sigurisë së kufijve janë sfida shumë të mëdha që presin policinë shqiptare. Diplomati perëndimor vlerësoi ambicien e misionit për të arritur rezultate konkrete nëpërmjet asistencës për zbatimin e planeve të veprimit për strategjitë e të gjitha fushave të shërbimit policor. “Progresi i arritur duhet të konsolidohet edhe më tej dhe të jetë i qëndrueshëm. Mirëfunksionimi dhe kryerja e detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit janë një faktor i rëndësishëm për të arritur tek liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë”, - u shpreh ambasadori Lohan. Kurse ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, bëri një prezantim të shkurtër të arritjeve konkrete në këtë progres-raport. Sipas tij, është bërë progres në sigurimin e kufijve, rritjen e besimit të qytetarëve tek policia si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, drejtoi dje takimin e Bordit të Palëve të Interesuara të Misionit PAMECA III, në cilësinë e kryetarit të këtij bordi. Bazuar mbi raportin e progresit për periudhën 6-mujore 1 mars 2009 - 31 gusht 2009, ministri Basha vlerësoi se ka pasur rezultate konkrete dhe me efektivitet të padiskutueshëm. “Asistenca në formën e këshillimit dhe organizimit të seminareve të ndryshme në fushën e përmirësimit të punës së Policisë së Shtetit për të mundësuar menaxhimin e përshtatshëm të burimeve të saj njerëzore financiare dhe teknike ka qenë e dukshme dhe e matshme”, - u shpreh Ministri Basha. Duke u ndalur tek progresi i arritur në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, ministri Basha përmendi disa elemente dhe fusha konkrete ku është ndier ndihma e asistencës së PAMECA III, siç ishte hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi në Muriqan dhe këshillimi për manualin e politikave dhe procedurave për departamentin e Kufirit dhe Migracionit. “Një realizim të dukshëm të objektivave të periudhës raportuese kemi gjithashtu dhe në fushën e asistencës për Policinë e Kufirit dhe Migracionit për të zbatuar strategjinë, planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve, përfshirë kërkesat e ligjit për Policinë e Shtetit duke siguruar procedura të përshtatshme për trajnimin dhe shpërndarjen e personelit”, - tha Basha. Ministri Basha vlerësoi punën e deritanishme të misionit PAMECA III edhe për krijimin e Grupit Strategjik për Policimin në Komunitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për këshillimin në lidhje me shtrirjen e sistemit MEMEX, po ashtu për koordinimin e punës për Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Z. Basha shprehu mirënjohjen në emër të Ministrisë së Brendshme për punën e kryer nga PAMECA III për periudhën 6-mujore të marrë në analizë, vlerësoi metodën efektive, transparente dhe bashkëkohore të misionit, si dhe i siguroi drejtuesit e misionit se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të jenë partnerë seriozë dhe të përkushtuar për të realizuar objektivat konkrete të qeverisë shqiptare. Në takim përshëndeti edhe shefi i misionit PAMECA III, z. Cecil Craig, si dhe mbajti një fjalim drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›