E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Jo vetëm pronat, por riatdhesim të çamëve në Greqi



Shpëtim Idrizi hyn në Parlament dhe betohet si deputet i PDU-së bashkë me një platformë konkrete përmes së cilës çamët do të kërkojnë jo vetëm kompensim pronash, por edhe riatdhesimin e tyre në Greqi. Pas betimit në seancën e mbrëmshme parlamentare, Idrizi shpalosi platformën politike duke i bërë thirrje klasës politike në vend që të ngrejë zërin për çështjen çame. Deputeti i partisë më të re në vend, Partia për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka vënë në qendër të programit të kësaj partie çështjen çame, por edhe atë të emigrantëve dhe interesave kombëtare. Sipas tij, është folur shumë për zgjidhjen e çështjes çame, por në seancën e mbrëmshme ai hyri me hapa konkretë. “Ne propozojmë që diplomacia jonë të negociojë amendimet e ligjit grek të vitit 1980 që do të lejonte riatdhesimin në Greqi të të gjithë çamëve. Pra, ne kërkojmë riatdhesim të të drejtave të humbura dhe jo thjesht kompensim pronash. Ne besojmë se Papandreu do të respektojë traditën më të mirë të së majtës greke. Jemi të gatshëm të shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare dhe do të ndërmarrim një nismë që Parlamenti të miratojë një rezolutë për çështjen çame”, - theksoi Idrizi. Sipas tij, PDU do të kontraktojë një kompani britanike për të hartuar një studim fizibiliteti për mënyrën se si mund të zgjidhet ligjërisht çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi. Kreu i PDU-së u bëri thirrje deputetëve të opozitës të gjejnë kompromisin e të kthehen në Kuvend për të mbrojtur të drejtat e elektoratit që i ka dhënë votën. “Le të fillojnë këto kontakte jashtë Parlamentit për të negociuar zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pra për të ushtruar pa u lodhur dhe me besim këtë art të vjetër të politikës, negociatën. Negociatë do të thotë se askush nuk ka të drejtë paraprakisht dhe se të gjitha palët duhet të lëshojnë nga pozicionet paraprake, që i kanë tani”, - tha në fjalën e tij kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Më tej, ai shtoi se PDU ka një projekt të detajuar edhe për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. ”Vetëm pak ditë më parë Kosova miratoi ligjin për mërgatën dhe ne duhet ta miratojmë një gjë të tillë. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me ju për arritjen e këtyre objektivave”, - shtoi ish-deputeti socialist. Idrizi theksoi gjithashtu se busulla e PDU-së është interesi kombëtar dhe për këtë çështje do të bashkëpunojë me të gjitha palët. Shpëtim Idrizi u betua dje si deputet i Qarkut të Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë. Para deputetëve, Idrizi sqaroi rolin që do të luajë PDU, si partia e katërt më e madhe parlamentare në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Ai theksoi pikat kryesore të programit të PDU-së, që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare dhe emigrantët. “Bashkë me kolegun tim Dashamir Tahiri, jam në Parlament si përfaqësues i një partie të re, Partisë për Drejtësi dhe Unitet, partia e katërt parlamentare, që ka në boshtin e vet zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Pas një turi takimesh dhe konsultimesh nëpër Shqipëri, ku morëm bekimin për këtë iniciativë të re politike, jam këtu sot për t’i dhënë asaj dhe një zë parlamentar. Për ta futur atë në kanalet institucionale të diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve me natyrë kombëtare”, - u shpreh deputeti Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›