Integrimi çalon me përkthimet
Ministria e Integrimit ka mbetur prapa me përkthimin e legjislacionit europian gjatë vitit 2009, ndërsa Ministria e Jashtme ka realizuar 100% buxhetin për dhuratat. Ky është përfundimi i analizës së buxheteve të këtyre dy dikastereve të rëndësishme. Konkretisht, lidhur me procesin e përkthimit të legjislacionit komunitar, në zbatim të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 117, datë 7.3.2007 “Për përcaktimin e procedurave të përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Europian në gjuhën shqipe dhe të përkthimit të legjislacionit shqiptar në një nga gjuhët e Bashkimit Europian”, Ministria e Integrimit shpalli kërkesën për përkthimin e rreth 13400 faqeve legjislacion, nga të cilat 12100 faqe nga legjislacioni europian dhe rreth 1300 faqe nga legjislacioni shqiptar, në përputhje me Kalendarin e përkthimit të parashikuar për vitin 2009. Tenderi për kryerjen e këtij shërbimi u nda në tetë lote, njëri nga të cilët për legjislacionit shqiptar dhe shtatë të tjerët sipas kapitujve të legjislacionit europian. Për lotin I (legjislacioni shqiptar) nuk pati asnjë ofertë, ndërsa për lotin II, II, III, IV, V u paraqit vetëm një ofertues, për lotin VI kishte gjashtë ofertues, për lotin VII pesë ofertues dhe për lotin VIII u paraqitën tre oferta. Proceduat për lotet I, II, III, IV dhe V dështuan për shkak të mosparaqitjes së numrit të nevojshëm të ofertuesve, ndërsa për lotet VI, VII dhe VIII asnjë nga ofertuesit nuk i plotësonte kriteret për të fituar. Si pasojë ky shërbim nuk u realizua. Ministria e Integrimit, nëpërmjet procedurës së prokurimit për blerjet e vogla, realizoi përkthimin dhe rishikimin e rreth 400 faqeve të legjislacionit europian. Ministria e Integrimit administroi dhe menaxhoi fondet buxhetore të vitit 2009, në tre programe, e konkretisht: planifikim, menaxhim dhe administrim; drejtësia dhe tregu i brendshëm; mbështetja institucionale në procesin e integrimit europian. Buxheti i planifikuar për këto tre programe gjatë vitit 2009, është realizuar në rreth 72.3 për qind. Ministria e Punëve të Jashtme, për vitin 2009 administroi dhe menaxhoi fondet buxhetore, në katër programe dhe konkretisht: planifikim, menaxhim dhe administrim; përfaqësitë diplomatike dhe shërbimi konsullor; promovimi i imazhit dhe vlerave të vendit; integrimi europian dhe pjesëmarrja si vend anëtar në NATO. Për vitin 2009 realizimi i buxhetit është në masën 99.3 për qind, kundrejt buxhetit vjetor të planifikuar. Për vitin 2009 në këtë program, krahasuar me planin vjetor, produkti “Përzgjedhja e stafit”, “Audite në përfaqësi diplomatike”, “Dhurata të blera” dhe “Ambiente pune të përmirësuara” janë realizuar plotësisht. Konkretisht 22.7 milionë lekë janë shpenzuar për përzgjedhjen e kualifikuar të stafit; 20.4 milionë për audite në përfaqësi diplomatike; 4.0 milionë lekë për dhurata të blera dhe 20 milionë lekë për ambiente pune të përmirësuara.
#