E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi euroatlantik në qendër të reformimit të kurrikulës

Organizmat ndërkombëtarë në tërësi dhe NATO e BE në veçanti po zënë zënë një vend të rëndësishëm në tekstet e historisë të sistemit arsimor të mesëm. Shefi i sektori të arsimit të mesëm të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ndriçim Mehmeti, tha se "Instituti i Kurrikulave dhe Tajnimit (IKT) po parashikon programet e reja që do të hartohen për arsimin e mesëm, (në kuadër të ndryshimeve strukturore nga katër vjet në tre), për vendin që do të zënë Organizmat Ndërkombëtare në tërësi dhe NATO e BE në veçanti. Përcaktimi i tematikës në programin lëndor po ndihmon hartuesit e teksteve të historisë të jenë më të vëmendshëm në trajtimin e çështjeve të integrimit euroatlantik. Nga ana tjetër, politika e Altertekstit po jep mundësi edhe më të mëdha të trajtimit në mënyrë të larmishme të kësaj çështjeje", vlerësoi Mehmeti. Ai nënvizoi se rruga drejt reformimit të kurrikulës po tenton gjithnjë e më tepër më afër interesave të zhvillimit ekonomik, social e kulturor të vendit,  pavarësisht se "procesi i reformimit nuk është i lehtë, edhe për shkak të një tradite kurrikulare të ideologjizuar dhe disi skematike në të kaluarën, veçanërisht në lëndët shoqërore". Si në kurrikulën e arsimit 9 vjeçar, edhe në atë të arsimit të mesëm, ka arritje, të cilat kanë bërë që cilësia e tekstit të vijë duke u rritur, në përgjigje të kërkesave të kohës. "Në këtë këndvështrim, kur flasim konkretisht për lëndën e historisë që zhvillohet në shkollat e mesme, këto përpjekje janë gjithnjë e më të dukshme. Në përmbajtjen e këtyre teksteve janë parë me përparësi konceptet më kryesore që duhet të njohë nxënësi, në varësi të moshës, si ngjarjet që kanë lënë më shumë gjurmë në aspektin pozitiv dhe negativ në historinë e Europës dhe të botës", tregon Mehmeti. Sipas tij, tashmë një vend i veçantë në kurrikulën e arsimit të mesëm i kushtohet zhvillimeve historike në Shqipëri dhe hapësirës mbarëshqiptare, prej periudhave më të hershme deri në ditët tona. Duke u ndalur tek teksti i historisë (profili natyror), që zhvillohet në vitin e tretë të shkollave të mesme, Mehmeti thotë se ky është teksti që përfshin pikërisht atë periudhë historie që ne mësuesit e quajmë historia e kohës moderne, zhvillimet e së cilës sollën një tjetër vizion në shumë shtete të botës. Për këtë arsye, vijon ai, autorët e këtij teksti kanë bërë përpjekje të ngrenë në nivelin më të mirë njohuritë për zhvillimin e ngjarjeve dhe tiparet që kanë shoqëruar shtete të ndryshme, të përfshira në përmbajtjen e tekstit. Ndërsa vlerëson arritjet e deritanishme, Mehmeti shton se "kur bëhet fjalë për një organizatë të tillë si NATO informacioni kufizohet vetëm rreth datës së themelimit të kësaj organizate dhe rivales së saj, Traktatit të Varshavës. Krejt e kundërta ndodh me një tjetër organizatë të njohur dhe me mjaft ndikim në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, BE-në". Në pasqyrimin e BE-së zënë vend historia e krijimit të saj, vendet themeluese, tendencat e zgjerimit të saj, sfidat për të ardhmen. "Kjo është një arritje pozitive nëse ne pretendojmë se arsimi duhet t’i paraprijë vendit në sfidat e zhvillimit, kjo mbart vlerë jo vetëm informative, por edhe ndërgjegjësimi për vështirësitë në rrugën e integrimit drejt BE-së", theksoi Mehmeti, duke nënvizuar se jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur dhe prirjet euro-pesimiste dhe euro-optimiste si edhe burimi i këtyre bindjeve. 

Aktualisht njohja e organizatave botërore përfshihet në kurrikulën e arsimit bazë dhe të mesëm. Nxënësit e klasës së XII-të bëjnë orë të zgjeruara si në histori, sociologji, tema të veçanta për organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë që njohuritë për to thellohen më shumë në klasën e XI-të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›