Policia në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës

Situata e akseve rrugore sipas Policisë së Shtetit
Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bënte të ditur dje se, me qëllimin parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve, shërbimet e policisë po ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për respektimin e kërkesave të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve, si dhe në drejtim të pajisjes së mjeteve me pajisjet dimërore.
Ndërkohë, Policia e Shtetit, nisur nga përkeqësimi i motit gjatë këtyre ditëve, porosit sërish drejtuesit e automjeteve që të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore, veçanërisht për: Respektimin e normave të shpejtësisë; Mospërdorimin e pijeve alkoolike; Përdorimin e rripit të sigurimit; Shmangien e parakalimeve të gabuara; Përdorimin e kaskave mbrojtëse; Përdorimin e dritave jo verbuese, si edhe; Përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.
Në çdo rast qytetarët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin përmes numrit telefonik pa pagesë 129, si dhe numrit 126, tërhiqte vëmendjen i njëjti njoftim i Policisë së Shtetit.
Duke bërë më the një panoramë të akseve rrugore në shkallë vendi, Policia e Shtetit bën të ditur se, nga informacionet më të fundit të marra nga shërbimet e Policisë Rrugore, rezulton se, në Qarkun e Kukësit po punohet për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës, në të gjitha akset nacionale në këtë qark. Temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta se një ditë më parë dhe reshjet e dëborës me më intensitet në Has dhe Tropojë dhe me erë të fortë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
Për sa i përket Qarkut të Dibrës, Policia e Shtetit bënte të ditur se, temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta se një ditë më parë dhe reshjet e dëborës me më pak intensitet dhe në zonat e thella, por ka një erë të fortë, po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
Në Qarkun e Shkodrës, sipas Policisë së Shtetit, mësohet se, temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta se një ditë më parë dhe reshjet e dëborës bien me më pak intensitet në Pukë dhe Malësi të Madhe, por ka një erë të fortë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
Në të gjitha akset rrugore nacionale në Qarkun e Lezhës, sipas Policisë së Shtetit, mësohet se, lëvizja e automjeteve është e kalueshme dhe po punohet me entin pronar të rrugëve për normalizimin e situatës.
Për sa i përket Qarkut të Korçës dhe të Gjirokastrës, mësohet sipas Policisë së Shtetit se, po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore. Ndërsa në Qarkun e Korçës, temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta dhe reshjet e dëborës me më pak intensitet edhe në zonat malore, por me një erë të fortë.
Më normale paraqitet gjendja e akseve rrugore në Qarkun Tiranë, Berat dhe Vlorë.