Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, brenda vitit 2014

Zëvendëskryeministri Ilir Meta merr edhe në Greqi garanci se diplomacia greke do punojë për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE brenda vitit 2004. Në shtetin fqinj përmirësohet edhe statusi juridik i emigrantëve shqiptarë si dhe i fëmijëve të tyre
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, në kuadër të vizitave të tij për në Qipro, Siri e Liban, gjatë qëndrimit në Athinë, zhvilloi sot një takim me Ministrin e Jashtëm plotësues të Greqisë, Dimitris P. Droutsas.
Dy zyrtarët e lartë, gjatë takimit, diskutuan mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit tonë, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta dhe Drutsas, u ndalën në veçanti, në situatën politike në rajon, pas Opinionit këshillimor të GJND-së për Kosovën.
Nga ana e tij, Drutsas informoi Metën lidhur me vizitën e ditëve të fundit, në Prishtinë dhe Beograd, duke theksuar angazhimin e Greqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në vijim, ai siguroi për vullnetin politik të Greqisë, në drejtim të zbatimit të nismës greke për integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, brenda vitit 2014.
“Jam i lumtur t’i uroj mirëseardhjen mikut tim Ilir Meta, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Ne biseduam mbi marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve, por veçanërisht për zhvillimet më të fundit në Ballkan. Edhe njëherë dua të theksoj rëndësinë që ne i japim afrimit të perspektivës evropiane të të gjithë rajonit dhe natyrisht edhe të Shqipërisë. Siç e dini Greqia është një mbështetëse e fuqishme e kësaj perspektive. Në lidhje me këtë edhe njëherë dua të përmend Agjendën tonë 2014. Edhe njëherë tjetër dua të falënderoj Ilirin që gjeti kohën për të më takuar, si dhe për bisedimet shumë konstruktive që patëm”, deklaroi për mediat Ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris P. Droutsas.
Ministri Droutsas përsëriti, në këtë kontekst, premtimin për mbështetjen e palës greke në finalizimin së shpejti të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet shqiptaro-greke, shprehu bindjen për forcimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të ardhmen. Në vijim, ai evidentoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë fqinje, në drejtim të konsolidimit të perspektivës europiane të Shqipërisë, që bazohet në vizionin inkurajues të Kryeministrit Papandreu për europianizimin e plotë të rajonit, në kuadër të Axhendës 2014.
“Ishte kënaqësi që takova një mik shumë të mirë, Dimitri Droutsas, Ministrin Plotësues të Jashtëm të Greqisë. Ne takohemi shpesh, por ishte kënaqësi që e takova sot, sepse siç e shihni zhvillimet në rajon janë shumë intensive. Dhe siç e dinë të gjithë, marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera dhe janë të bazuara mbi perspektivën evropiane të të gjithë rajonit. Greqia e ka mbështetur dhe e mbështet Shqipërinë të arrijë qëllimin e saj për integrimin evropian. Ne së shpejti presim liberalizimin e vizave, si dhe në të ardhmen e afërme, statusin e kandidatit. Gjithashtu ne diskutuam për progresin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Dhe marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Dua të theksoj se ne vlerësojmë shumë mbështetjen greke dhe vlerësojmë shumë kontributin e Papandreut në evropianizimin e rajonit. Agjenda 2014 ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nxitje e fuqishme për ne, por edhe për BE-në, që të adresojë aspiratat evropiane të vendeve të rajonit”, deklaroi Meta.
Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen, gjithashtu, mbi ura të forta lidhëse dhe miqësie, siç janë komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, që i shërbejnë thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes dy popujve e vendeve tona.
Zëvendëskryeministri Meta falënderoi autoritetet greke për plotësimin e kuadrit ligjor në dobi të integrimit të plotë të komunitetit të shtetasve tanë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, duke iu referuar veçanërisht dhënies së shtetësisë brezit të dytë, të lindur dhe arsimuar në Greqi, si dhe të drejtës së tyre për të votuar e për t`u votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor.