E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksportet shqiptare rriten 65 përqind, pritet një bum edhe tek rritja ekonomike

Rritjet ekonomike janë jashtë çdo parashikimi. Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitiv fakti se kryeson me një ekonomi reale. Brenda gushtit dorëzohen përgjigjet mbi raportet e ekspertëve të KE-së


Kryeministri Berisha, duke u ndalur në mbledhjen e qeverisë në zhvillimet e ekonomisë shqiptare, tha se muaji korrik shënoi rritje me 65 përqind të eksporteve “Made in Albania”. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Dua t’ju bëj gjithashtu me dije se në rrafshin ekonomik, muaji korrik është një muaj me lajme qartësisht pozitive. Dua të informoj qytetarët se treguesi më i ndjeshëm, më i fortë dhe solid i prodhimit janë eksportet. Për muajin korrik, eksportet “Made in Albania” kanë një rritje prej 65 përqind dhe në këtë rritje, nuk ka asnjë qindarkë të ardhur nga shiu, pra, nga energjia, por e tëra është rezultat i mundit, punës dhe djersës. Kjo është një arritje shumë e madhe. Ajo që është thellësisht pozitive është rritja e eksporteve me materiale të importuara. Ju i keni parë lotët e krokodilit që u derdhën për fasonët. I ftoj ata që bëjnë hipokrizi, të marrin statistikat dhe të shohin se në 7 muaj ka një rritje prej 29 përqind dhe të mos harrojmë se në tërësi janë që të gjitha prodhime të imta, këpucë, tekstile, janë edhe minerale, por jo më shumë se në masën 17 përqind e eksporteve shqiptare. Ndërsa rieksportet janë industri tekstile, veshje, këpucë etj. Kjo do të thotë se ka një rritje të ndjeshme të punësimit. Nëse ka një gjë, me të cilën lidhet më ngushtë njësia e prodhimit me njësinë e punës, janë fasonët. Në total, eksporti i 7 muajve kap vlerën e 95.2 miliard lekë, kundrejt 57 miliard të 7 muajve të vitit të kaluar. Siç e shihni, rritjet janë jashtë çdo parashikimi. Asnjë vend nuk ka regjistruar një rritje të tillë eksportesh në këto 7 muaj. Mund të lundroni në internet dhe të gjeni eksportet e të gjitha vendeve. Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitive se kryeson me një ekonomi reale, mundi, djerse, mendjeje dhe muskujsh të njerëzve të saj”.


Brenda gushtit dorëzohen përgjigjet mbi raportet e ekspertëve të KE-së


Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se çështje e parë e punës në muajin gusht për qeverinë do të jetë shqyrtimi i raporteve të ardhura nga ekspertët e Komisionit Europian, që në korrik vizituan Shqipërinë, për të verifikuar progresin e bërë në tre çështjet që KE la si detyrë, pas propozimit për heqjen e vizave për Shqipërinë. Duke i vlerësuar raportet objektive, Kryeministri kërkoi studimin me kujdes të tyre, dhënien e përgjigjeve brenda afatit të përcaktuar, fundi i muajit gusht dhe mbi to, përcaktimin e objektivave të reja . “Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, - theksoi Kryeministri - në mënyrë që të procedohet më tej me reformat”. Kryeministri i shprehu falënderimin anëtarëve të qeverisë dhe të gjithë punonjësve të administrate për seriozitetin, me të cilin ata trajtuan zbatimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave. “Pa përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre, do të kishte qenë e pamundur përmbushja e kërkesave të udhërrëfyesit, për një nga vendimet më historike që merret për shqiptarët”. Më tej kryeministri kërkoi që ky proces, që konsiston në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja. Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, dua të theksoj se kryefjala e kësaj mbledhjeje nuk mund të jetë gjë tjetër veçse vizat. Siç jeni në dijeni, Komisioni Europian ka dërguar raportet e grupeve të ekspertëve që erdhën në korrik, për të verifikuar zhvillimet dhe progresin e bërë në tre çështjet kryesore, të cilat u lanë si detyrë për t’u vlerësuar nga Këshilli i Komisionerëve të KE-së, kur shpalli propozimin për heqjen e vizave për Shqipërinë. Unë, duke falënderuar të gjithë punonjësit e kësaj administrate dhe ju, për seriozitetin e madh, me të cilin u trajtua zbatimi i të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, do të kërkoja që ky proces, që konsistoi në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja. Heqja e vizave ka përbërë dhe përbën një nga objektivat më madhorë të programit të kësaj qeverie. Kjo përbën padyshim, një nga arritjet më të mëdha historike të shqiptarëve dhe të kombeve që përfitojnë nga këto vendime. Ky është një ridiminsionim i jashtëzakonshëm i lirisë së lëvizjes, por, aq më tepër, kur, për shkak të barbarive të regjimit që shkoi, ne u detyruam të braktisim vendin, si edhe disa shekuj më parë. Ne kemi një numër më të madh emigrantësh, se çdo vend tjetër dhe janë jo të pakta gëzimet apo hidhërimet, që familjet, për shkak të regjimit të vizave, nuk i ndajnë sëbashku. Ky është një nga aspektet dhe natyrisht, është më njerëzori. Nuk ka aspekt tjetër më njerëzor, sesa bashkimi i familjes në gëzime apo hidhërime. Solidariteti familjar është themeli i mirësisë. Por, nga ana tjetër, lëvizja përbën edhe një ridimensionim të dinjitetit, të mundësive dhe potencialeve. Raportet janë shumë objektive. Ekspertët, e dërguar nga Komisioni dhe që përfaqësonin vende të ndryshme, patën rastin t’i “preknin” gjërat në vend, e kam thënë edhe më parë se Komisioni përdor praktikën e Shën Thomait. Megjithatë, ne duhet të nxjerrim çdo problem të ngritur, pavarësisht nga arritjet. Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, në mënyrë që të procedohet më tej me reformat. Le të marrim luftën kundër korrupsionit. Ajo është një luftë e pasosur, që nuk përfundon kurrë, por e cila shënon sukses. Në këtë aspekt, shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri, për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të kapur nivel tjetër. Po ashtu, lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë. Suksesi i saj varet sa je në gjendje të konsolidosh atë që ke arritur dhe me vendosmëri të përcaktosh objektiva të tjera. Duke falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë administratën për punën e shkëlqyer që ka bërë, sepse pa përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre, do të kishte qenë e pamundur përmbushja e kërkesave të udhërrëfyesit, për një nga vendimet më historike që merret për shqiptarët, sërish ju ftoj që gjatë muajit gusht të studiohen raportet dhe në fund të muajit, sipas afatit të përcaktuar, t’u ktheni përgjigje. Ato kërkojnë një shqyrtim kompleks. E theksoj, dy çështje janë themelore dhe nuk përfundojnë kurrë, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Në këtë drejtim, mekanizmat tanë, makineria jonë duhet të shohin, sesi të përmirësohet e përsoset më tej. Duke racionuar kohën, ekipet, stafet, të kombinuar edhe me pushimin, të keni si çështje të parë shqyrtimin e raporteve të ardhura nga ekspertët, përgjigjet e tyre dhe një plan pune për problemet, të cilat janë afatgjata është e domosdoshme”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›