Qeveria “Berisha” i jep MTKRS-së edhe 24 milionë lekë fonde shtesë për aktivitetet në kremtim të Vitit të Nënë Terezës
Përvjetori i 100-të i lindjes së Nënë Terezës, nobelistes së njohur me origjinë shqiptare, do të angazhojë në një listë të veçantë aktivitetesh strukturat qeveritare, aktivitete që koordinohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për realizimin e këtyre aktiviteteve, qeveria ka marrë dje një vendim për shtimin e fondeve të saj, në mënyrë që të realizohen me sa më shumë sukses evenimentet kulturore dhe artistike, të parashikuara për t’u organizuar në lidhje me këtë përvjetor të shënuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Konkretisht, bëhet fjalë për një shtesë fondesh prej 24 milionë lekësh, të firmosura për t’i kaluar si fond shtesë dikasterit të Kulturës për realizimin e veprimtarive në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. “Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi prej 24 928 000 lekësh”, citon konkretisht vendimi në fjalë. Ndërsa shtohet se efektet financiare të tij, do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Viti 2010 është shpallur si viti i Nënë Terezës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj, dhe një numër aktivitetesh janë edhe të përbashkëta me Kosovën dhe Maqedoninë, si dy shtetet të cilat kanë popullsi shqiptare dhe e përkujtojnë njëlloj humanisten e madhe, njërën nga simbolet më të mëdha të qytetërimit tonë perëndimor.
...