E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi i Kosovës, qeveria drejt riformatimit

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar dje se, nëse rezulton që ministrat nuk i kanë përmbushur obligimet që kushtëzojnë ecjen përpara të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, kabineti do të pësojë ndryshime. Thaçi takoi dje ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive, për të diskutuar posaçërisht pyetësorin e studimit të fizibilitetit, sipas KosovaOnline. Të gjithë ministrat i kanë marrë kopjet e pyetësorit me 450 pika, të cilave duhet tu përgjigjen në afat rekord, në mënyrë që në mes të qershorit përgjigjet ti dorëzohen BE-së para se të bëhet raporti i fizibilitetit për Kosovën. Deklarata e Thaçit vjen në një kohë kur kritikat e tij ndaj sjelljes së Bashkimit Europian ndaj Kosovës janë thënë fort dhe theksuar disa herë. Sipas tij, vonesat që po i bën BE-ja Kosovës, janë të pajustifikueshme. Thaçi tha se nuk ka asnjë dyshim që Kosova ka një të ardhme të sigurt europiane, por sipas tij edhe BE-ja duhet të nisë ta shohë Kosovën me syrin e suksesit. Brenda majit, sipas mediave, në Kosovë mbërrin një komision i KE-së për të verifikuar nëse gjendja në terren përputhet me përgjigjet që ministritë përkatëse kanë dhënë në pyetësorin e dërguar më herët nga Brukseli. Vlerësimi i Brukselit do të determinojë lëvizjet në kabinetin qeveritar të Thaçit në fillim të verës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›