E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani ekzekutoi “spiunin” e Izraelit

Një person i dënuar për vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian në Teheran dy vjet më parë është varur nga autoritetet e Republikës Islamike. Lajmin e bëjnë të ditur mediat iraniane.

Majid Jamali Fashi, 24 vjeç, mori dënimin kapital për vrasjen e profesorit, Massoud Ali Mohammady, duke shpërthyer nga distanca një bombë të vendosur jashtë shtëpisë së tij, në janar të vitit 2010.

Fashi u akuzua gjithashtu se kishte qenë një spiun i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad dhe se ishte paguar 120 mijë dollarë për vrasjen. Nga ana tjetër, Izraeli nuk ka bërë asnjë koment për këto akuza.

“Majid Jamali Fashi, spiuni i Mossad-it dhe personi që vrau Masoud Ali Mohammadi, shkencëtarin tonë, u var mëngjesin e së martës”, raportoi agjencia e lajmeve “Irna”.

Profesori i shkencave bërthamore punonte në Universitetin e Teheranit dhe është një nga disa shkencëtarët e së njëjtës degë, që janë vrarë në vitet e fundit në Teheran.

Pas atentatit, Irani akuzoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se u përpoqën të dëmtonin programin e tij bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›