BE ndërmori sulme ajrore kundër piratëve somalezë

Forcat detare të Bashkimit Evropian kanë kryer një sulm ajror kundër një baze piratësh në Somali.
Një zëdhënës tha se aeroplanët e marinës së BE-së dhe helikopterë sulmues kanë marrë pjesë në aksion.
Nuk është raportuar për viktima në sulmin që ndodhi në bregdetin qendror të Somalisë, në rajonin Galmudug.
Michael Man, zëdhënës i krye-diplomates së BE-së, Catherine Ashton, tha se aksioni ishte pjesë e asaj që ai e përshkroi si qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër piratëve.
Muajin e kaluar, BE hapi rrugën që forcat e saj të sulmojnë piratët në bregdetin somalez.
Në vitet e fundit piratët somalezë kanë kapur disa anije përgjatë Oqeanit Indian, duke kërkuar haraç për lirimin e tyre.
Aktualisht besohet se ata janë duke i mbajtur 17 anije me 300 anëtarë të ekuipazhit.