Integrimi i Rusisë post-perandorake
Me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2012 në Rusi, nëpërmjet të cilave Vladimir Putin ka vendosur të rimarrë ish zyrën e tij në Kremlin, është koha të kthejmë vëmendjen nga tek politikat që do të ndiqen. Putin planifikon të qëndrojë në Kremlin edhe për dy mandate të tjera presidenciale, pra një tjetër 12 vjeçar, duke bërë së fundmi edhe disa ndryshime në kushtetutë. Pra, se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Rusisë tashmë dihet, më pak e qartë është ajo se çfarë kërkon të arrijë ai me marrjen e presidencës.
Megjithatë, ka një çështje që është tashmë në krye të axhendës politike të Rusisë: ajo e integrimit euroaziatik. Në fillim të tetorit, Putin nëpërmjet një artikulli gazete bëri të ditur se cilat do të ishin objektivat e politikës së tij të jashtme gjatë drejtimit të vendit prej tij: një Bashkim Euroaziatik i ish-shteteve sovjetike. Dy javë më vonë, në Shën Petersburg, ai mbajti një takim me kryeministrat e shteteve të pavarura të Commonwalth-it (CIS), tetë prej të cilëve nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë midis vendeve të tyre. Më 1 janar 2012, Bjellorusia, Kazakistani dhe Rusia, të cilat kanë bërë një bashkim doganor, do të bashkohen në një hapësirë të vetme ekonomike.
Por Putin kërkon akoma më shumë: një “Shengen Euroaziatik” (lëvizje të lirë të njerëzve midis tre vendeve, ndërtuar mbi shembullin e Bashkimit Evropian) e ndjekur kjo, duke filluar nga viti 2015, me krijim e një monedhe të përbashkët dhe së fundi, nga një integrim i plotë ekonomik. Në të vërtetë, Putin kërkon të përmirësojë marrëdhëniet e Rusisë me ish-shtetet sovjetike për të krijuar jo vetëm një treg më të madh, por edhe një aleancë ekonomike dhe sigurie.
Një plan i tillë akoma nuk mund të merret i mirëqenë. Por duhet thënë se që nga shpërbërja e Bashkimi Sovjetik, 20 vjet më parë, ka pasur mjaft bisedime për ri-integrimin e shteteve që u formuan pas shpërbërjes. Këto bisedime megjithatë nuk kanë qenë shumë të frytshme, për shkak kryesisht të ngurrimit të Rusisë për të mbështetur financiarisht vendet e tjera. Në të njëjtën kohë, vendet e tjera të CIS kanë pasur në fokus ndërtimin e shteteve të tyre dhe pavarësisë së tyre përkundrejt Rusisë. Megjithatë këta dy faktorë tani mund të ndryshojnë - ose të paktën mund të ndryshojnë disi Rusia, e cila për disa vite ndaloi befasisht furnizimin e Ukrainës, Bjellorusisë, Moldavisë e vendeve të tjera me energji, tani ka shprehur interesimin e saj për të mbështetur disa nga fqinjët e saj, në këmbim të disa prej pasurive të tyre më fitimprurës. Gjatë krizës globale 2008-2009, Moska filloi të forcojë pozitën e saj rajonale ekonomike dhe të promovojë krijimin e bashkimit doganor me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, madje edhe duke rrezikua ofertën e saj për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Për partnerët e Rusisë, gjithashtu, format aktuale të integrimit, të tilla si bashkimi doganor dhe në të ardhmen krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, janë marrëveshje pragmatike që i shërbejnë interesave të tyre. Në Bjellorusi dhe Kazakistan, Rusia ka fituar 25 milionë konsumatorë të rinj të mundshëm, Bjellorusia dhe Kazakistani, nga ana e tyre, kanë zgjeruar hyrjen e tyre në tregun e madh rus prej 140 milionë konsumatorësh.
Tregu rus është gjithashtu mjaft tërheqës edhe për shumë vende të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, nga Kirgistani i vogël e deri në Ukrainën e madhe. Në rastin më të fundit për shembull, perspektivat e një bashkëpunimi më të ngushtë me BE-në, janë zbehur për shkak të vështirësive të brendshme të BE-së, si dhe për shkak të dënimit “të motivuar politikisht” të ish-kryeministres Yuliya Timoshenko nga autoritetet ukrainase. Në artikullin e tij mjaft të cituar, Putin mohoi se planet e tij të ri-integrimit kanë për qëllim rikthimin e Bashkimit Sovjetik me një tjetër emër. Ky është një pohim i besueshme, për tri arsye kryesore: zhdukja e plotë e vrullit perandorak të Rusisë, mungesa e vullnetit të saj për të paguar “faturat” e vendeve të tjera dhe "mungesa së e vullnetit” të vendeve të reja për të hequr dorë nga sovraniteti i tyre për ish-hegjemoninë.
Si pasojë, Rusia ka qenë mjaft e rreptë në lidhje me kushtet e ndihmës financiare në Bjellorusi, duke i bërë presion qeverisë së saj të hapë tregun e saj për biznesin rus. Por, me gjitha interesin e tyre ndaj tregut rus, as Bjellorusia, as Kazakistani nuk ia plotësuan dëshirën Rusisë për të njohur pavarësinë e Abkhazisë separatiste të Gjeorgjisë dhe rajonet e Osetisë së Jugut.
Putin është ambicioz, por ai është gjithashtu mjaft i kujdesshëm. Ai sigurisht e ka të qartë se vetëm interesi i përbashkët ekonomik mund t’i fusë këto vende “në grackë”. Krijimi i një Këshilli për Ndihmë të Ndërsjellët Ekonomike (COMECON, blloku tregtar i epokës sovjetike), ose një Pakt Varshave i ri, është aq i pamundur sa është edhe krijimi i një Bashkimi Sovjetik të mëvonshme. Integrimi ekonomik euroaziatik, nëse ka një shans të krijohet, duhet të ndjekë një tjetër rrugë. Nëse të gjitha palët e interesuara bashkohen vullnetarisht dhe veprojnë hap-pas-hapi, si me BE ose me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, nga integrimi euro-aziatik do të përfitojnë të gjitha vendet e përfshira në të. Në vend që të sillet si një perandori e fshehtë që po përpiqet të rikrijohet, Rusia ka mundësinë të bëhet një lider rajonal. Por integrimi euro-aziatik do të dështojë nëse partnerët e Rusisë e shohin procesin si përpjekje e Moskës për të dominuar politikisht.
E gjitha kjo është mjaft e ndërlikuar nga ana gjeopolitike. Në Evropën Lindore, Rusia ka në krah të saj Bjellorusinë, ndërkohë që është duke konkurruar me BE-në mbi orientimin e ardhshëm ekonomik të Ukrainës. Ndërsa në Azinë Qendrore, Rusia, duke pasur lidhje të forta ekonomike me Kazakistanin, tani po bën përpjekje të ketë përkrah edhe Kirgistanin, duke konkurruar në mënyrë më aktive me Kinën fqinje. Në vend që të zgjedhë mes Brukselit dhe Pekinit, Moska tani kërkon të kthejë fqinjët pas-perandorake të Rusisë në një komunitet. Dhe, si një objektiv afat-gjatë, Putin parashikon një marrëdhënie të ngushtë ekonomike midis Bashkimit Euro-Aziatike dhe BE-së duke formuar kështu atë që ai e quan një Evropë të Madhe.
Në Perëndim, deklarata e Putinit në lidhje me Bashkimin Sovjetik e përshkruan shpërbërjen e tij si “katastrofa më e madhe e shekullit të njëzetë”. Por komentet e tjera të Putinit, më pak të njohura për lexuesit perëndimorë, i referohen sistemit sovjetik si “i paqëndrueshëm”. Në gjykimin e tij, ata që duan rikthimin e BRSS “nuk e kanë trurin në vend”. Njëzet vjet pas humbjes së perandorisë së saj të shekullit XX, Rusia është e gatshme për të lëvizur drejt një lloji të ri integrimi me ish-provincat e saj. Kjo nuk është menduar si një kërcënim për të tjerët, por si një integrimi ekonomik i cili do të jetë një test, se sa Rusia ka mësuar për botën që nga viti 1991, dhe se sa më shumë moderne është bërë ajo si rezultat i këtij mësimi.
Dmitri Trenin është drejtor i Qendrës “Carnegie” në Moskë. Libri i tij i fundit është “Post-Perandoria: Një histori Euroaziatike”
Marrë nga Project-syndicate.com