E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në 100 ditët e para dhe vrulli drejt normalitetit, që po shqetëson çakejtë e Ramës

05-11-2011 / Redaksionale

Vetëm çmenduria dhe pacipësia nuk njeh kufi. Kreu i opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës ka akuzuar dje kryetarin e ri të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha se po hipotekon pallatet e pahipotekuara nga paraardhësi i tij, dora vetë Edi Rama. Ky i fundit është zilepsur shumë pas startit të fuqishëm të kryebashkiakut të ri të kryeqytetit. Tirana po kthehet në normalitet.
Disa pika.
1. Barku i hapur i sheshit Skëndërbej po qepet nëpërmjet një operacioni të furishëm të administratës Basha. 16 orë në ditë punonjësit e kompanive private dhe të ndërmarrjes së Pastrim - Gjelbërimit kanë nisur një aksion në shkallë të gjerë për të mbjellë pemë të ndryshme dekorative dhe bar natyral, përkundër barit elektoral mijëra euro që Edi Rama mbuloi gropën pas shtatores së Skëndërbeut.
2. Sakaq ka ditë që ka nisur aksioni për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga bizneset apo tregtarët ambulantë. Anarkisë së zaptimit të pandershëm të hapësirave të përbashkëta po i vjen fundit dhe rikthimi në normalitet është pëlqyer nga sytë e qytetarëve. Ndërkaq një tjetër operacion rikthimi në “normalitet” ka qenë verifikimi në vend i ankesave të qytetarëve dhe marrja e masave, në rastet e spekulimit me çmimet ose me cilësinë e mallit, nga ana e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, një nga prioritetet e Bashkisë dhe premtimi zgjedhor i Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha. Sigurisht ekzistenca e një agjencie të tillë e detyron Bashkinë e Tiranës të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, për sa i takon sigurisë dhe cilësisë së mallrave dhe shërbimeve brenda territorit të saj administrativ. Kjo pasi Bashkia e Tiranës është edhe ofruese e shërbimeve dhe produkteve për konsumatorët e kryeqytetit dhe mban përgjegjësi për dëmet apo abuzimet e mundshme që mund t’u shkaktohen banorëve të saj nga shërbimet apo produktet me defekt dhe të rrezikshme.
3. Gjithashtu stina e thatë e verës dhe e vjeshtës po favorizon punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe, të cilat po kryhen me ritme te shpejta. Pranë Kopshtit Botanik, aty ku është vija e verdhë, që ndan Komunën Farkë me qytetin e Tiranës, po bëhen punimet për ngritjen e një mbikalimi. Kjo Unazë rreth 20 km e gjatë do të kontribuoje edhe për zbutjen e  trafikut në kryeqytet. Ndërhyrja nga ana e qeverisë dhe miratimi i nisjes së punimeve në dy nyje të unazës ka bërë që sot te kryhen punime me intensitet të lartë në dy segmentet: aty ku bashkohet qyteti i Tiranës me Komunën e Paskuqanit dhe aty ku bashkohet vija e verdhë e qytetit me Komunën e  Farkës. Ndërkaq kanë marrë fund edhe përplasjet midis Bashkisë dhe pushtetit qendror, pasi ndërtimi i kësaj unazë është shënuar nga Lulzim Basha si një nga prioritetet e punës së tij, që do ta çlirojë qytetin nga trafiku.
5. Ndërsa të gjithë të rinjtë që studiojnë në Tiranë do të pajisen me Kartën e Studentit, dokument që do të ofrojë për ata lehtësira të shumta financiare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka firmosur dje me rektorët e universiteteve publike të kryeqytetit një marrëveshje për të pajisur të gjithë studentët me këtë kartë, megjithëse
kryebashkiaku siguroi se kjo marrëveshje do të lidhet edhe me Universitetet private. Karta e Studentit do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh dhe lehtësirash për të gjithë studentët e Tiranës, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera.
Në përfundim mund të thuhet se dy muajt e parë efektivë të administratës “Basha” po bëjnë të harrohen 11 vite drejtim të paraardhësit Rama. Prandaj ky i fundit urdhëron sejmenët për të ciflosur sadopak programin shërues të administratës së re. Nëse Rama kërkon të japë materiale dez-informuese për publikun mund ta bëjë në internet dhe jo të përdorë zërin e “zërit të popullit” për të mashtruar qytetarët e Tiranës, që kreun e Partisë Socialiste e detyruan të largohej me bisht në  shalë. Sot Tirana po ndryshon, po largon ndotjen, po çndrydhet paqësisht dhe po reformohet normalisht.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›