Integrimi i Serbisë në BE para Shqipërisë do të ishte një padrejtësi e madhe
Këto ditë Oli Rehn, komisioneri për zgjerim i BE-së deklaroi se Serbia ka gjasa që deri në fund të vitit të marrë statusin e vendit kandidat për t’u inkuadruar në këtë strukturë. Kjo deklaratë duket paksa ironike kur dihet se Serbia ishte kreatorja e luftërave të përgjakshme me rastin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Të inkuadrohet Serbia në strukturat evropiane para vendeve të tjera të rajonit është paradoksale dhe diçka jo e menduar mirë nga faktori ndërkombëtar. Nuk bën të harrohet kaq shpejt Srebrenica, rrethimi i Sarajevës etj, ku nga kriminelët serbë u vranë e u masakruan me mijëra myslimanë të Bosnjës. Nuk bën të harrohet Reçaku, Lubeniqi, Meja e masakrat e tjera në Kosovë të ushtrisë dhe paramilitarëve të kryekriminelit Millosheviç. Të gjitha vendet e rajonit patën rol konstruktiv gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Më së vështiri e pati Shqipëria e cila përkunder masakrave serbe mbi vëllezërit e vet në Kosovë, nuk u bë shkaktare e një lufte të përgjithshme ballkanike. Kjo nuk ishte gjë e vogël dhe duhet të shpërblehet nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe Maqedonia dhe Mali Zi të cilat edhe e pranuan pavarësinë e Kosovës ishte dashur të jenë shumë më përpara Serbisë në rrugën për integrim në BE. Asnjë e Qeveri e deritashme e Serbisë nuk i përmbushi detyrimet e kërkuara të bashkësisë ndërkombëtare. Çdo kriminel lufte u dorëzua nga pushteti i Beogradit vetëm atëherë kur përfitohej diçka nga faktori ndërkombëtar. Dorëzmi i këtyre kriminelëve është vetëm një pikë në det në krahasim më zullumin qe shkaktoi Serbia gjenocidiale gjatë këtyre 18 viteve sa zgjati kriza në Ballkan. Edhe Tadiqi i “reformuar” nuk është duke hequr dorë nga lojërat e ndyta karshi Kosovës, edhe pas zyrtarizimit të pavarësisë së saj. Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe para Tribunalit të Hagës ishte dashur të përgjigjet Serbia për gjenocid ndaj popujve josllavë. Kosova në këto dy gjykata ndërkombëtare ishte dashur të ftohet vetëm si dëshmitare kunder Serbisë, e cila vrau dhe masakroi më mijëra shqiptarë në trojet e tyre etnike. Serbia, edhe sot ka mbetur me paragjykime të vjetra, në tentimin e saj për krijimin e Serbisë së Madhe. Rilançimi i planit të shovinistit Dobrica Çosiç për ndarjen e Kosovës nga goja e Tadiçit, dhe aktualizimi i kësaj çështje gjatë këtyre ditëve nga emisari i OKB-së, është një tjetër tendencë pak më përfide për krijimin e Serbisë së Madhe, kur dihet se marrëveshja e Dejtonit për Bosnjen nuk është fort e qendrueshme. Prandaj, kurrfarë favorësh nuk ishte dashur t’i krijohen Serbisë për integrim në strukturat e BE-së, para vendeve të tjera të rajonit. Serbia ishte dashur të pranohet në strukturat më të larta ndërkombëtare vetëm atëherër kur të heqë dorë përfundimisht nga territoret e huaja shqiptare. Pastaj, t’u kërkojë falje publike shqiptarëve për gjenocidin e shkaktuar në luftën e fundit. Por, duket sheshazi së edhe pushetit i Tadiçit, është shumë larg reformimit të cilin e kërkon ky fillimshekull. Koha e carëve të ndryshëm serbë moti ka përfunduar. Kthim prapa nuk do të ketë më kurrë. Inkuadrimi i Serbisë në organizmat e ndryshem ndërkombëtarë, ishte dashur të kushtëzohet edhe me respektimin e të drejtave të pakicave brenda territorit të saj. Serbia mund të përballet shumë shpejt me problemin e hungarezëve në Vojvodinë dhe muslimanëve në Novi Pazar, siç e pat thënë paradokohe ambasadori gjerman në Beograd. Hyrja eventuale e Serbisë në BE para vendeve të tjera të rajonit siç e proklamojë këtë gjë Rehn, është e padinjitetshme dhe do të ishte padrejtësi e madhe. ...