E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Spanja?!

Nga 27 vendet e Bashkimit Evropian tani e dimë se vetëm 5 kanë mbetur pa e njohur Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë grup janë Greqia, Qipro, Sllovakia Rumunia dhe ajo me më peshë, Spanja

Ndoshta nuk është shumë e papritur pse rumunët, sllovakët dhe grekët me Qipron nuk e pranuan Kosovën, besoj se këtë e bënë sa për shkak të problemeve me minoritetet që jetojnë në shtete përkatëse, aq edhe për shkak të lidhjeve të vjetra ende në pulsim të këtyre popujve me sllavo-ortodoksizmin, por gjithashtu edhe për shkak të rirreshtimeve financiare e politike, në qartësim e sipër, të cilat po strukturohen gjithnjë e më shumë nga influenca e Rusisë në kundërofensivë.
Jemi të vetëdijshëm se Kosovën e kanë pranuar së fundmi edhe Maqedonia e Mali i Zi, dy shtete të cilat dyshoj se do të ndërmerrnin një hap të tillë po të mos ekzistonte trysnia e diplomacisë amerikane. Arsye e dytë e njohjes së Kosovës, është edhe hapja e perspektivës se re për këto shtete për integrime euro-atlantike, e cila sërish, por në mënyrë të tërthortë lidhet me amerikanët dhe perëndimorët tjerë. Ndërsa arsyeja e tretë, e kjo vlen sidomos për Maqedoninë, është edhe numri i konsiderueshëm i shqiptarëve që jeton në shtetet përkatëse.
Megjithëkëtë është Spanja, e cila përkon plotësisht me qytetërimin perëndimor, të cilës i prijnë amerikanët, e e cila deri më tani nuk e ka njohur Kosovën, gjersa bota perëndimore që përkon me të njëjtin qytetërim këtë e ka bërë në valën e parë të njohjeve.
Pashmangshëm pyetja që të vije në mend është; pse Spanja nuk e bëri një gjë të tillë, madje një pyetje edhe më intriguese është; a do njoh Spanja Kosovën? Spanja, me një traditë mjaft të hidhur me minoritetet që jetojnë në të, pasi që akoma vazhdon të mos e njoh Kosovën, mund të konsiderojmë se e vë në një rrafsh të njëjtë me Baskinë dhe Katalunjën dhe mbi këtë bazë i peshon faktorët relevant, por të gabueshëm, për të ardhur në konkluzion i cili, shikuar realisht nuk është i arsyeshëm; refuzimin e njohjes së Kosovës, e madje, edhe kundërshtimin e saj nëpërmjet mekanizmave diplomatik.
Ndarja e një territori të populluar me një minoriteti të caktuar i cili përkon me një komb të një vendi tjetër, zakonisht në kufij, shikuar nga aspekti moral mund të vije vetëm kur, ashtu siç me të drejt thekson John Chipman, të plotësohen disa kritere të caktuara, ndër të tjera edhe kur minoriteti i cili tenton të shkëputet nga shteti juridik në të cilën jeton, në vazhdimësi përjeton shkelje të të drejtave të saja apo të kulturës së saj dhe, përveç secesionit, nuk ka asnjë mënyrë tjetër praktike nëpërmjet të së cilës do të ruheshin këto të drejta. Por, shikuar realisht, këto kushte ndryshojnë nga një vend në tjetrin e që bazë për këto ndryshime është rregullimi i brendshëm konstituiv-shtetëror, rezultat i të cilave zakonisht janë edhe përballjet në mes të vendvendosjes së jashtme të minoritetit në njërën anë dhe sovranitetit të shtetit nga i cili kërkohet ndarja në anën tjetër. Për këtë Alen Buchanan thotë se një pjesë e një shteti mund të ndahet vetëm atëherë kur shteti nga i cili dëshirohet ndarja e lejon një gjë të tillë dhe kur ajo të parashihet me kushtetutën e atij vendi. Si derivat shtrohet pyetja; a janë spanjollët ata të cilët kanë krijuar një bazë mbi të cilën minoritetet e Spanjës me të drejt mund të kërkojnë ndarje. Pra a janë plotësuar kushtet e shkeljes së të drejtave të minoriteteve apo të të drejtave për jetë?
Besoj se Spanja me një traditë të lashtë shtetërore në vitet e demokracisë nuk ka cenuar asnjë të drejtë të asnjë minoriteti të saj, qofshin ato të drejta fetare, gjuhësore, grupore etj. e aq më larg të drejtat për jetë. E pra cilat janë arsyet në të cilat mbështetet Spanja për mos ta njohur Kosovën? Kuptohet që shumicës dërmuese të popullatës së Kosovës në vazhdimësi dhe pandalshëm i janë cenuar të drejtat e ndryshme deri në të drejtën për jetë. Pra në Kosovë janë krijuar kushtet mbi të cilat është fituar e drejta për ndarje nga ish shteti Jugosllav. Përkundër shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar mbi lëkundjet e marrëdhënieve ndërkombëtare që mund të krijohen me rastin e krijimit të një shteti të ri përball nivelit të represionit ndaj minoriteteve, në rastin tonë ndaj shqiptarëve të Kosovës, nga shumë shtete perëndimore është parë më e udhës që Kosovës, megjithatë, t’i lejohet e drejta e shkëputjes dhe si rrjedhojë edhe e shpalljes së pavarësisë. Por një vijë krahasuese në mes të Kosovës dhe, në rastin tonë, Baskisë p.sh. nuk mund të tërhiqet për shkak se në Baski, përveç në kohën e sundimit të diktatorit Franko, nuk shkelen cilatdo të drejtat; kulturore, gjuhësore, racore etj.. Madje edhe pse në kohën e diktatorit Franko, ndaj baskëve kishte shkelje masive të të drejtave të ndryshme, e drejta për ndarje nuk mund të legjitimohej për shkak se diktatura kishte përmasa jo vetëm mbi bazën e përkatësisë kombëtare, por shtrirja e saj ishte përgjatë tërë territorit të Spanjës me çka nënkuptohet se viktimë e kësaj diktature ishin edhe vetë spanjollët.
Kohët e fundit disa lëvizje pozitive kanë ndodhur në spektrin e vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën p.sh. Sllovakia ka pranuar pasaportat, edhe pse arsyetimi për një njohje të tillë ishte paksa cinike megjithëkëtë kjo është një shenjë e mirë se edhe ata në të ardhmen mund ta njohin Kosovën. Grekët besohet se do ta njohin Kosovën për shkak të nevojës së përmirësimit të marrëdhënieve me shqiptarët në përgjithësi e Shqipërinë në veçanti dhe pa dyshim dëshirës për vazhdimësi të të qenit pjesë e qytetërimit perëndimor. Qipro zakonisht përcjell rrugën që e trason Greqia. Rumunët nuk janë kategorik në mosnjohje edhe pse kanë minoritete të cilat nuk janë të vogël në numër si p.sh. hungarezët. Por Spanja, për shkak se është shtet shumë i fuqishëm ekonomikisht dhe me jo pak ndikime politike, ndoshta nuk i bëhet vonë njohja e Kosovës, por mosnjohja e Kosovës bie ndesh, jo vetëm me njohjen nga vendet e ndryshme të botës perëndimore, e në veçanti me BE-në, por bie ndesh me atë që në realitet është fundamentale; të mos qenit precedent. Pra Spanja konsideron se Kosova është precedent dhe si e tillë mund t’i hap rrugë popujve të ndryshëm të botës që të kërkojnë ndarje nga shteti në të cilin jetojnë e si rrjedhojë edhe Baskia dhe Katalunja me njohjen e Kosovës mund të kërkojnë ndarje.
Megjithëkëtë përveç dy mundësive ekzistuese për Spanjën, pra njohja e Kosovës apo mosnjohja e saj, element tjetër i rëndësishëm, por vetëm në rastin e njohjes, është edhe faktori kohë, pra “kur”.
Po që se edhe për një kohë të caktuar, brenda së cilës të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e njohin Kosovën, atëherë ajo do të jetë e fundit dhe e vetmja në këtë proces. Pra Spanja karshi BE-së për çështjen e Kosovës do të mbetet e vetmuar dhe, tani shtrohet pyetja e radhës, si do të veproj BE-ja kur duhet të merren vendime të rëndësisë së veçantën për Kosovën? A do të jetë Spanja ajo e cila gjithmonë do të vë veto në vendime të tilla? Për më tepër a do të reflektoj kjo një dyshim tek vendet tjera të BE-së por edhe më gjerë, se në realitet në Spanja diçka nuk është në rregull me trajtimin e minoriteteve nga autoritetet Spanjolle kur dihet se edhe shumë vende të tjera të BE-së kanë probleme me minoritete, në veçanti këtu mund të përmendet Britania e Madhe me irlandezët dhe IRA-në. Kuptohet jemi të vetëdijshëm se kjo nuk qëndron dhe e dimë se Spanja është një ndër vendet më demokratike të Botës por është disi e pashpjegueshme pse kjo këmbëngulësi në mosnjohje dhe realisht është vështirë të gjendet një përgjigje e cila do ta qartësonte qëndrimin spanjoll.
Për Spanjën do të ishte gjithashtu keq po që se do ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran pasi këtë ta kenë bërë të gjitha shtetet e BE-së. Arsyeja e këtij konstatimi, besoj, gjendet në përgjigjen e pyetjes se cilët janë ata indikator të cilët tregojnë se ndryshimet e duhura kanë ndodhur, cilatdo qofshin ato, dhe se tani Spanja mund ta njoh Kosovën, ndërsa minoritetet e saj më këtë rast, pra me njohjen e Kosovës nga Spanja si e fundit, nuk do të shqetësoheshin. Nuk besoj se do të ketë tregues të tillë të cilat nuk do të jenë të shfrytëzuara nga një pjesë e popullatës baske apo katalunase për kërkesën e vetëvendosjes së jashtme dhe krijimit të një respektivisht dy shteteve të reja në gadishullin Iberik. Pra po që se Spanja nuk do ta njoh Kosovën ajo do të jetë e vetmuar në BE dhe si e tillë do të mund të reflektoj dyshim në trajtimin e minoriteteve brenda saj karshi BE-së, ndërsa po që se vonohet në njohje atëherë kjo mund të përdoret dhe shfrytëzohet mu nga një pjesë e popullatës baske respektivisht katalunase.
Pra zgjidhja më e mirë është që Spanja ta njohë Kosovën sa më shpejt dhe në këtë proces të njohjeve të mos mbetet e fundit. Kjo do të thotë se edhe Spanja është mirë të futet në vallen e shteteve tjera të BE-së dhe ta pranoj Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë mënyrë nuk do të trajtohet nga të tjerët si e dyshimtë dhe se arsyetimin për njohje e ka të gatshëm – Kosova nuk është precedent – dhe kërkesa e minoriteteve të cilat jetojnë në territore të veçanta të saj përfundimisht do të amortizohet në kontest të rastit të Kosovës dhe se Spanja do të reflektoj demokraci dhe liberalizëm në të cilën nuk duhet dyshuar dhe përfundimisht nuk do të pyesim “pse Spanja”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›