Bugajski: Përparimi i Shqipërisë, një surprizë që ka çuditur kancelaritë perëndimore

Në një intervistë dhënë për NTV, Januzz Bugajski, shefi i projektit për Demokracinë e re në Evropë dhe një ndër analistët më të njohur, flet për zhvillimet e fundit në Shqipëri, marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA, si dhe impaktin e zgjedhjeve presidenciale në Ballkan dhe në Evropë. Ai vlerëson kursin e reformave që kanë sjellë integrimin e Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimin e MSA-së me BE-në, ndërkohë që kthen vëmendjen edhe nga sfidat aktuale që ka klasa politike shqiptare
Zoti Bugajski faleminderit që pranuat intervistën!
Ju falënderoj për ftesën!
Zoti Bugajski kanë kaluar rreth 18 vjet që nga rënia e komunizmit në Shqipëri. Si e vlerësoni progresin e Shqipërisë në ditët e sotme?
Kush do ta mendonte që 18 apo 20 vite më përpara që Shqipëria do të ishte një anëtare e NATO-s dhe tashmë ky është një fakt. Kush do ta mendonte që Shqipëria do futej në procesin për t’iu bashkuar Bashkimit Europian dhe një gjë e tillë po ndodh, apo kush do ta kishte imagjinuar që Shqipëria do të kishte marrëdhënie të ngushta me SHBA-në, të cilat tashmë i ka. Duke u nisur thjesht nga këto fakte duket se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm. Por nuk duhet mohuar që ka ende shumë rrugë përpara, duhet të bëhen shumë reforma për të qenë plotësisht i kualifikuar për Bashkimin Europian, të luajnë një rol më të madh në rajon dhe të rrisin standardet e jetesës. Sërish theksoj se ka ende shumë punë për t’u bërë.
Zoti Bugajski, ju patët disa takime me politikanët shqiptarë. Cilat ishin çështjet që diskutuat?
Ishin kryesisht çështje të jashtme. Politikanët shqiptarë ishin të interesuar për zgjedhjet në SHBA. Çfarë impakti do të ketë presidenti i ardhshëm në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, politikat ndaj rajonit si dhe në marrëdhëniet transatlantike. Të them të vërtetën është diçka pozitive që politikanët shqiptare janë të interesuar për zhvillimet botërore si dhe rolin që kanë Shtetet e Bashkuara.
Duke qëndruar tek zgjedhjet në SHBA. Cili nga kandidatët në SHBA mendoni se është më i favorshëm për interesat e Ballkanit?
Mendoj se paraqesin pak a shumë të njëjtën situatë, në favor të Ballkanit. Në një anë kemi Mccain, i cili ka një politikë shumë konsturktive në lidhje me zgjerimin e NATO-s, forcimi i aleancës, përfshirja e anëtarëve të rinj, po ashtu ai ka paraqitur një politikë shumë të mirë ndaj Ballkanit. Nga ana tjetër kemi Xho Bajdën së bashku me kandidatin Obama i cili ka ka qenë një ndër lojtarët kyç në Uashington për një politikë konstruktive ndajj Ballkanit, duke përfshirë pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin në NATO të Shqipërisë. Pra me një fjalë është një situatë e favorshme nga të dyja krahët, pra kushdo që të fitojë do të jetë diçka pozitive për Ballkanin.
Le të kalojmë në një çështje tjetër. Sipas jush cilat janë interesat e Rusisë në Ballkan?
Interesi i Rusisë është që ta rrisë veten e saj si një superfuqi. Ajo po përpiqet që të zhvendosë ndikimin amerikan në Evropë. Po përpiqet që të shpërbëjë Bashkimin Europian për të rritur influencën e saj në të gjithë kontinentin. Dhe për këtë ajo përdor energji, përdor biznese, diplomaci, por përdor kërcënime ashtu siç e pamë. Ajo gjithashtu përdor agresionin si në Gjeorgji. Me një fjalë Rusia ka një plan afatgjatë, pastaj është çështje tjetër nëse mund ta çojë deri në fund apo jo, por dihet që ajo tashmë ka një plan për t’u rikthyer në një superfuqi.
A mendoni se Rusia do ta njohë Kosovën?
Mendoj se të gjithë do e bëjnë herët a vonë. Dua të them se është një realitet, një fakt i jetës, dhe ti duhet të mësohesh me faktet e jetës, pasi një gjë e tillë nuk mund të mohohet. Por Rusia nuk do e pranojë shumë shpejt, ajo do jetë një ndër vendet e fundit që do e pranojë. Rusia po e përdor Kosovën si një motiv përçarës në Ballkan, në Evropë e më gjerë si edhe për të rritur ndikimin e tyre në Serbi. Pra është një oportunitet, le ta quajmë kështu, për Rusinë që të rrisë influencën e saj.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të rishqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Sipas jush cili do të jetë rezultati?
Nuk mendoj se do të ryshqyrtojë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Mendoj se thjesht do të ofrojë një opinion. Gjithsesi unë kam një pyetje. Çfarë është ligji ndërkombëtar? Kush e bën këtë ligj? Kur ne e dimë shumë mirë se ka shumë vende në Kombet e Bashkuara të cilat nuk zbatojnë as ligjet vendase. Për çfarë po flasim këtu? Ligjet bëhet nga politika, nga pushteti dhe nga realiteti. Dhe në të treja këto raste Kosova kualifikohet si e pavarur.
Ju tashmë e dini që Bosnja po kthehet në një problem për Ballkanin në ditët e sotme? Si e gjykoni ju këtë?
Bosnja është një problem, pasi ende nuk është integruar plotësisht si një shtet i vetëm. Ka probleme për të realizuar kriteret për stabilizim asociimin, të cilat janë hapat e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu ka probleme të mëdha kushtetuese në termat e përgjegjësisë dhe pushtetit. Ka një rrezik që Bosnia mund të vazhdojë të copëzohet në dy pjesë. Dhe ky është një rrezik që ndërkombëtaret duan ta shmangin, pasi përbën rrezik për Ballkanin.
Maqedonia nuk e mori ftesen për në NATO për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Greqinë në lidhje me emrin. Cila do të jetë zgjidhja e këtij problemi?
Sigurisht që ka një zgjidhje. Është kompromisi për një emër të kompozuar që u shkon për shtat të dyja palëve si për shembull Maqedonia e Re, Maqedonia Jugore etj. Pra një lloj kompromisi i Maqedonisë i cili do të qetësonte grekët të cilët në fundit të fundit janë anëtarë të NATO-s dhe anëtarë të Bashkimit Europian. Mendj se pa një kompromis do të jetë e pamundur për Maqedoninë që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe kjo mund të krijojë disa probleme të brendshme dhe madje edhe probleme rajonale.
Duke folur për Shqipërinë, cilat mendoni se janë sfidat me të cilat do të përballet politika shqiptare, kam parasysh stabilitetin politik përsa i takon integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian?
Kur flasim për stabilitetin politik, më lejoni t’ju them se gjithmonë para zgjedhjeve ka nje destabilitet politik. Edhe vendet më demokratike në botë kalojnë në të njëjtën situatë, kështu që nuk është për t’u habitur. Çështja është se a po punojnë institucionet dhe a janë ato të qëndrueshme. Së dyti ju siguroj se Bashkimi Europian do t’i kushtojë më shumë rëndësi luftës dhe masave ndaj krimit dhe korrupsionit, pas zhgënjimit që patën me Bullgarinë, kur ajo u bë pjesë e familjes europiane. Pra mendoj se Shqipëria do të përballet me disa standarde rigoroze përpara se të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian.
Duke qendruar tek Bullgaria, a mendoni se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është më shumë një vendim politik sesa një proces që ka të bëjë me arritjet kundër korrupsionit apo ato ekonomike?
Është pjesërisht nje vendim politik. Anëtarësimi në NATO është një vendim politik. Anëtarësimi në Bashkimi Europian është një përzierje e plotësimit të kritereve dhe një vendim strategjik politik. Mendoj se tani është çështje e plotësimit të kritereve, do të jetë më rigoroz, pasi Komisioni kërkon standarde më strikte ndaj çdo vendi që do t’i bashkohet Bashkimit Europian.
Flasim për Gjeorgjinë. A mund të shkojmë drejt një Lufte të Tretë Botërore, apo edhe mbase drejt një lufte tjetër të Ftohtë?
Jo nuk mendoj se do të ketë një Luftë të Ftohtë, madje më lejoni t’ju them se në shumë mënyra është më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë. Sepse në një luftë të ftohte është e qartë se kujt i përket secila gjë. Rusia mendon se disa vende i përkasin asaj, ndërkohë që në të vërtetë ata i përkasin Perëndimit. Kështu që kjo gjë e bën më të komplikuar dhe në disa raste shumë më të rrezikshme. Ne duhet të bashkëpunojmë me Rusinë në disa çështje. Rusia nuk mund të izolohet, është pjesë e ekonomisë globale, është pjesë e strukturës globale politike Ajo është e pjesë e botës, pjesë e ekonomisë dhe e politikës, por nga ana tjetër duhet të veprojë në bazë të standardeve, në bazë të të cilave vepron edhe Perëndimi.
Cilat janë detyrat konkrete që Shqipëria duhet të realizojë për t’u integruar sa më shpejt?.
Shqipëria po ecën në rrugën e anëtarësimit. Nuk e di me saktësi se në sa prej tyre, por ajo është shumë afër në disa pika që duhen për t’u kualifikuar. Mendoj se duhet të ketë një fushatë më rigoroze në luftën kundër kurrupsionit, kundër krimit të organizuar, bashkëpunimit rajonal për të luftuar kriminalitetin. Dhe gjithashtu kërkon standartet qeveritare. Bashkimi Europian kërkon që të ketë institucione të forta dhe tashmë tani kërkon përgjegjësi më të madhe financiare. Kjo është një çështje tjetër që do t’i kushtohet më shumë rëndësi si rezultat i krizës financiare. Me fjalë të tjera: a po funksionojnë ashtu siç duhet bankat, cili është roli i qeverisë në këtë drejtim....
A mendoni se kriza financiare do të ketë ndikimin e saj edhe në Shqipëri?
Mendoj se kriza financiare do të ketë ndikim në shumë vende. Në qoftë se ju keni banka që janë pjesë e bankave të mëdha në Austri, Itali apo Gjermani, likuiditeti i bankave qendrore, funksionimi i tyre do të ketë një impakt edhe këtu në Ballkan, në Shqipëri dhe sigurisht që kjo do të ketë efekte në kredi si edhe në furnizimin me para.
Zoti Bugajski, nëse keni ndonjë për të shtuar, të cilën nuk e përfshiva në pyetjet e mia?
Jo nuk besoj, ju i mbuluat të gjitha çështjet.
...