E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajerson: Jam i lumtur për aleancën që ekziston mes Shqipërisë dhe SHBA-ve

Ambasadori i parë amerikan, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, tashmë në pension dhe i vendosur në rrethinat midis Uashingtonit dhe Virxhinias, William E. Rajerson, 14 vjet pas largimit nga Shqipëria, flet për interesimin që vijon të ruajë për Shqipërinë, demokracinë, Shqipërinë në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Ngjarjen e Gërdecit, ai e quan pasojë të mbeturinave të armëve me të cilat mburrej dikur PPSH-ja.

Çfarë paraqiste për ju personalisht emërimi si ambasador i SHBA-së në Shqipëri (pas pushtimit italian më 1939, SHBA e mbylli ambasadën në Tiranë. Shqipëria komuniste për 50 vjet i prishi marrëdhëniet me SHBA-të. Deri në vitin 1991, Shqipëria dhe SHBA-ja nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike. Erëra të acarta do të frynin mes dy shteteve, të shoqëruara me argumentet komuniste plot urrejtje ndaj SHBA)?
Përbënte një rast për të ringjallur lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mua m’u shtua shumë interesimi për Shqipërinë pasi fillova të mësoja edhe gjuhën shqipe, në mënyrë që të komunikoja më mirë me shqiptarët e Kosovës të cilët vinin në Sektorin Konsullor të Ambasadës. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdonin të shfaqnin interes për Shqipëri dhe vazhduan transmetimet nëpërmjet Zërit të Amerikës në shqip gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne e dinim shumë mirë se shpifjet e ulëta të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe partnerëve të tyre në krim, nuk përfaqësonin në asnjë mënyrë pikëpamjen e popullit shqiptar.

Qëndrimi juaj ato ditë kur erdhët në Shqipëri krah Berishës në mitingjet e kryeqytetit, ishte personal apo një qendrim zyrtar i Departamentit të Shtetit?
Së bashku, Sekretari i Shtetit James Baker, kolegët e mi, dhe unë e bëmë të qartë në Ambasadën tonë se ne do ta inkurajonim demokracinë dhe vendosjen e një sistemi të tregtisë së lirë, do të garantonim lëvizjen e lirë të njerëzve në Shqipëri dhe se do të punësonim shqiptarë në Ambasadë. Unë bëra gjithçka munda për të inkurajuar zgjedhje të lira, transparente dhe të ndershme. Dua të theksoj faktin se nuk dola me Dr. Berishën në takimet përpara zgjedhjeve të 22 Marsit, 1992, megjithëse PPSH dhe trashëgimtarët e ideologjive të tyre thonë se unë kam dalë më të. Hera e parë që kam bërë paraqitje publike me Dr. Berishën ka qenë më 23 Mars 1992, kur Berisha i foli një grupi njerëzish qe kishin dalë në shesh për të festuar fitoren e zgjedhjeve. Gjithashtu, në podium në atë kohë, mes te tjerëve, ishte edhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një anëtar i Bundestagut gjerman.

Na thuaj pak në lidhje me zhvillimet demokratike atëhere në Shqipëri. Sa e vështirë qe që të ishe diplomat amerikan në atë periudhë sa ju kryet detyrën si ambasdor i SHBA-së në Tiranë?
Në njëfarë mënyre ishte e vështirë, por vetëm në kuptimin trivial të komfortit personal. Shumica e shqiptarëve kishin rifilluar kontaktin me Shtetet e Bashkuara dhe me Amerikanët, dhe unë e gjeta veten time shumë të mirëpritur nga të gjithë.

Kur u përgatitët për t’u njohur me Historinë e Shqipërisë, a kishit pasur më parë ndonjëfarë njohurie?
Duhet të them të vërtetën se si shumica e amerikanëve, edhe unë kam ditur shume pak për Shqipërinë. Ashtu si mund ta imagjinoni, unë fillova të mësoja më shumë kur fillova të mësoja gjuhën shqipe. Në atë krah pata ndihmën e shumë njerëzeve që e kishin gjuhën nënë - dhe më rrallë kisha persona që kërkonin ndihmë në Ambasadën e Beogradit. Pasi arrita në Shqipëri në Prill 1991, fillova një kurs për historinë e Shqipërisë - edhe këtë herë pata ndihmën e personave që më ndihmuan të mësoja shqip.

A vazhdoni t’i ndiqni zhvillimet në Shqipëri?
Po, i ndjek ngjarjet në Shqipëri, megjithese jo edhe aq nga afër sa i ndiqja kur isha atje. Vazhdoj të mbaj lidhje me komunitetin shqiptaro-amerikan, jam i abonuar me një gazetë, dhe mbaj kontakt nëpërmjet e-mailit tim, e shkembej letra me miqtë e mi në Shqipëri. Gjithashtu, kam qenë i privilegjuar të futem në takime ku kam takuar zyrtarët shqiptarë dhe i kam përdorur ato raste për të qenë më i informuar për gjendjen.

Prej kur jeni larguar ju, ngjarje të mëdha kanë ndodhur në Shqipëri. Si ndjeheni ju që i vendoset i pari urat e lidhjes diplomatike mes Uashingtonit e Tiranës?
Ishte privilegji im që si ambasadori i parë i SHBA-së, në Shqipëri, të isha pjesë e fillimit të ringjalljeve të lidhjes së mirë ndërmjet dy shteteve. Jam i lumtur dhe krenar që Shqipëria tani është ftuar të bëhet pjesë e NATO-s dhe që SHBA-të i kanë dhënë përkrahje të fortë pavarësisë së Kosovës. Ashtu siç kam thënë në një artikull të publikuar para disa viteve në shtypin shqiptar, me kryetitull "Kosova duhet të jetë e pavarur! Pikë!”. Dhe më vjen keq që miku im Safat Zhulali, i cili ishte Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, kur unë isha ambasador, nuk është gjallë që të shikojë levizjen e Shqipërisë në NATO, diçka që ai e ka dashur shumë që të vijë kjo ditë.

A keni dëgjuar se në Shqipëri, kanë ndodhur vitetet e fundit edhe ngjarje të tilla si "Gërdeci" apo disa çështje të tjera, saqë edhe ambasadori amerikan Xhon Witthers, është shumë aktiv në debatet rreth këtyre çështjeve?
Po, Gërdeci ishte një tragjedi shumë e madhe. Duke u menduar për atë ngjarje, unë shpresoj se njerëzit do të kujtojnë se prezenca e atyre armëve, kaq shumë armëve eksplozivëve në Shqipëri, është pjesë e legacisë toksike që mbante Partia e Punës së Shqipërisë - PPSH-ja.

Dhe së fundi si komentoni ju faktin që Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, nënshkroi më 24 tetor në Shtëpinë e Bardhë, në një ceremoni aktin që i hapi rrugën anëtarësimit edhe të Shqipërisë në NATO?
E përshëndes dhe e duartrokas këtë ngjarje!
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›