Integrimi në BE, Luka takohet me Pittellan
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka takohet në zyrat e Parlamentit Evropian në Bruksel me zëvendëspresidentin e parë të Parlamentit Evropian, Gianni Pittella. Kryebashkiaku Luka në këtë takim theksoi rëndësinë e politikave, të rezultateve dhe reformave konkrete të decentralizimit të ndërmarra nga Qeveria drejt pushtetit lokal, duke u dhënë atyre gjithë aftësitë e nevojshme, që kanë shërbyer për të përmirësuar dhe rritur cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. “Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE tashmë duhet konsideruar një realitet i prekshëm, prandaj çdo ditë ne presim të marrim statusin e kandidatit, kjo para së gjithash për punën e bërë nga Qeveria shqiptare, Parlamenti dhe autoritetet lokale”, tha Luka. Zv.presidenti i PE-së konfirmoi gatishmërinë e BE për të mbajtur lart vëmendjen drejt rajonit të Ballkanit dhe theksoi rëndësinë e shtytjes nga ana e autoriteteve lokale shqiptare drejt skemave komunitare. “Ky proces, tha ai, me siguri mund të përshpejtojë procedurat e kandidimit dhe integrimit në BE”, theksoi Pittella. Zv.presidenti Pittela ka pranuar me kënaqësi ftesën e kryebashkiakut dhe është përgatitur tashmë një axhendë e misionit të tij për në Shkodër në muajt e parë të vitit 2010.