“Toka te Tajvani, ja afera e Bashkisë”
Ministria e Punëve Publike ka zbardhur dje detaje të reja rreth shitjes së tokës në qendër të Tiranës nga Bashkia e Tiranës, debat ky që është hapur prej disa javësh. Ministri Sokol Olldashi, diskutoi edhe njëherë kontratën e shitjes së truallit publik prej 1310 m, ”ku çmimi i shitjes është i përcaktuar në nenin 5 dhe është 12 mijë lekë të reja për m2, e përkthyer në valutë të fortë 97 euro për m2 për një truall në qendër të Tiranës”. Më tej, ai ka theksuar se pretendimet e Bashkisë “se ky është çmimi i tregut” hidhen poshtë nga vetë ajo me një tjetër dokument. Ai ka publikuar gjithashtu një shkresë që lidhej me truallin rreth hotel “Dajti”-t që ndodhet përballë truallit që i është shitur shoqërisë “Taiwan” me pronar Besnik Sulën. Në shkresën e datës 29 tetor 2004 e firmosur në Bashki bëhet përcaktimi i çmimit për truallin që rrethon ish-hotel “Dajti”-n, i cili, sipas Olldashit, në vitin 2004 u fut në proces shitje. Pavarësisht se shitja nuk u krye në vlerësimin e Bashkisë së Tiranës çmimi me të cilin duhej të shitej trualli përballë hotel “Dajti”-t është 1500 euro për m2 dhe kjo përcaktohet në kontratë. “Në tetor të vitit 2004 Bashkia e Tiranës, truallin përballë hotel “Dajti”-t e vlerëson me 1500 euro për m2, në maj 2005, gjashtë muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e Tajvanit e vlerëson me 97 euro për m2”, theksoi ministri. Ai ka kërkuar një shpjegim nga ana e institucionit përkatës lidhur me këtë diferencë të tmerrshme të çmimeve të një trualli pothuajse të njëjtë. “Cili është shkaku përveç faktit që Besnik Sula është një biznesmen i rrethit të interesave të Z.Rama dhe ky çmim është vetëm një favor totalisht klientelist që kryetari i bashkisë i ka bërë ortakut të tij, politik apo qoftë financiar”, ka vazhduar më tej ministri. Sipas kreut të Ministrisë së Punëve Publike, të dy trojet janë brenda të njëjtit kuadër ligjor, të bazuar në të njëjtat ligje, të bazuara në të njëjtat rregullore që funksiononin, si dhe të bazuara në të njëjtat rregulla të përcaktimit të çmimit të truallit publik, dhe kemi njërën të vlerësuar me 97 euro dhe tjetrën me 1500 euro. Ai ka këmbëngulur se në këtë rast abuzimi qëndron në faktin që për blerësin anonim aplikohet çmimi 1500 euro, që është si çmim i përafërt me vlerën e tregut kurse për klientin e kryetarit Rama, Besnik Sulën, aplikohet 6.4 % e çmimit real. Dy dokumentet e zbardhura dje vijnë në vazhdën e një sërë dokumentesh të tjera, që ministri bëri publike pak kohë më parë, duke akuzuar Bashkinë e Tiranës për shkelje në shitjen e tokës në qendër të kryeqytetit.