E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli kombëtar, emrat e fituesve pas dy ditësh

 

ADI SHKEMBI

Emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar nuk dalin përpara ditës së enjte. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën se megjithëse procesi i numërimit të votave ecën me shpejtësi, numri i madh i delegatëve dhe zgjedhja e 100 anëtarëve, kanë vështirësuar procesin. Prej të hënës në mbrëmje kutitë e votimit janë transportuar nga Pallati i Kongreseve në selinë e Partisë Demokratike dhe janë vendosur në zyrën e katit të tretë ku mbahen mbledhjet e kryesisë së partisë. Janë 10 kuti votimi që kanë votat e 1267 delegatëve dhe që numërohen nga një komision prej nëntë anëtarësh që kryesohet nga deputeti dhe kryetari i PD-së së Durrësit, Igli Cara. Në një prononcim për mediat ai theksoi se procesi vazhdon normalisht, por shtoi se numërimi mund të zgjasë edhe dy ditë për shkak të mënyrës së votimit. Një delegat i Kuvendit Kombëtar duhet të zgjidhte nga lista e 336 kandidatëve minimumi 50 dhe maksimumi 100 anëtarë për Këshillin Kombëtar. Anëtarët e komisionit nuk kanë pushuar gjatë gjithë ditës së djeshme me përjashtim të mesditës ku kanë ngrënë drekën, por edhe atë në zyrën ku numërohen votat. Deri në orën 22.00 u numëruan rreth 40 për qind e fletëve të votimit, rreth 500 vota. Nga procesi i numërimit do të dalin 100 anëtarë të këshillit kombëtar, ndërkohë që pjesa tjetër e këtij forumi do të jetë e përbërë nga tre kategori. Kështu do të jenë direkt anëtarë të këshillit kombëtar për shkak të pozicionit që mbajnë 37 anëtarët e degëve të PD-së në rrethe, 3 kryetarë bashkie qendër qarku që drejtohen nga demokratët dhe katër kryetar të bashkive me mbi 40 mijë banorë. Kjo kategori është shtuar në statutin e Partisë Demokratike, që u miratua nga Kuvendi Kombëtar ditën e hënë. Në nenin 36 të Statutit thuhet se “Këshilli Kombëtar përbëhet nga kryetari dhe zëvendësit e tij, sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë të partisë, kryetari i bordit financiar, ish presidentët e Republikës, ish kryeministrat dhe ish kryetarët e PD-së, kryetarët e bashkive qendër qarku dhe bashkive mbi 40 mijë banorë, kryetarët e degëve të PD-së, kryetarët e organizatave partnere”. Sipas dokumentit themelor të demokratëve përfitojnë statusin e anëtarit të Këshillit Kombëtar Tritan Shehu dhe Eduard Selami si ish kryetar i PD-së, ndërkohë që përjashtohet përfundimisht ish kryeministri Aleksandër Meksi, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit kryesonte koalicionin “Poli i Lirisë”. Në mbledhjet e këshillit kombëtar mund të marrin pjesë edhe anëtarët e qeverisë dhe anëtarët e PD-së, por ata nuk kanë të drejtë vote.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›