E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, si do t’i ndryshojë reforma

06/02/2012  Në mars nisin bisedimet me Bankën Botërore. Ja sistemi katër kolonësh

Brenda muajit mars qeveria shqiptare do të fillojë diskutimet me Bankën Botërore për mënyrën se si do të reformohet sistemi i pensioneve në Shqipëri. Kjo është hera e dytë që qeveria nis diskutimet me BB për këtë reformë, pas atyre të vitit 2006, por duket se këtë herë do të kemi një sistem të ri të pensioneve në vendin tonë, pavarësisht se diskutimet për fillimin e saj mund të marrin kohë për shkak se palët e përfshira janë të shumta dhe reforma do të jetë afatgjatë. Paraprakisht mësohet se projekti që do të propozohet do të jetë një azhornim i atij të hartuar në vitin 2006, pra që do të thotë futjen e sistemit shumë kolonësh në vendin tonë. Megjithatë, këtë herë kërkohet edhe konsensusi i opozitës në mënyrë që reforma të jetë sa më efektive, pasi shtrirja e saj në kohë është mjaft e gjatë. Aktualisht skema shqiptare funksionon me sistemin “Pay as you go”, që do të thotë kontribut brezash. Pra, kontribuesit aktual paguajnë për të marrë pension prindërit e tyre. Megjithë diskutimet për efikasitetin e skemës aktuale, rezulton se raporti kontribues-përfitues është 1.3 kontribues për 1 përfitues. Nga ana tjetër mësohet se një pjesë e madhe e deficitit të skemës së sigurimeve rrjedh nga pagesa e përfitimeve suplementare që mbështeten nga buxheti i shtetit, megjithëse nuk kanë paguar asnjëherë kontribut suplementar. Një tjetër faktor që ndikon në performancën jo të mirë të skemës së sigurimeve shoqërore është edhe ekonomia gri dhe ajo informale. E para ka të bëjë me mosdeklarimin real të pagës së punonjësve për efekt kontributesh dhe e dyta për numrin e lartë të punonjësve që punojnë në punë të zezë, ku llogariten mesatarisht rreth 50 mijë të tillë. Në rast rikuperimi të këtyre dy kategorive, atëherë raporti kontribues-përfitues do të arrijë 2 kontribues për 1 përfitues, raport ky i kërkuar edhe nga Banka Botërore. Sipas parashikimeve, moshat e reja do të jenë kategoria kryesore që do të përfshihen nga reforma e pensioneve. Në kuadër të kësaj reforme, pritet që të miratohet një vit i caktuar lindjeje që do të bëhet pjesë e kësaj skeme të re, çka do të thotë se të gjithë të lindurit nga ai vit e mbrapa do të bëhen pjesë e skemës së re të pensioneve. Sistemi i quajtur shumë kolonësh, i cili do të aplikohet edhe në vendin tonë është i përbërë prej katër shtyllash. Kështu, shtylla zero është për të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit. Ndërsa, shtylla e parë është sistemi i pensioneve me kontribut që aktualisht ekziston në Shqipëri. Ky është një sistem publik i bazuar në solidaritet, por ku pensioni varet nga vitet dhe niveli i kontributit. Ndërkohë, shtylla e dytë ka hyrë në disa vende, si një sistem kursimesh ku punonjësve dhe punëdhënësve u kërkohet të vendosin një përqindje të pagës në llogari të specializuara kursimesh, të cilat pastaj investohen. Pasi del në pension punonjësi përfiton kontributin dhe interesat e krijuara nga ky sistem. Kjo shtyllë mund të menaxhohet në mënyrë publike apo private dhe nuk mbështetet në sistemin e solidaritetit. Së fundi, shtylla e tretë është e ngjashme me shtyllën e dytë, por punonjësit dhe punëdhënësit mund të bëjnë vullnetarisht kontribute shtesë, në mënyrë që të rrisin nivelin e pensionit të tyre të ardhshëm.

Mund të verifikohet vjetërsia ose të aplikohet për pension

Sigurimet shoqërore, nga

viti 2013 shërbimet on line

Në janar të 2013-ës të gjithë ata që derdhin apo përfitojnë kontribute shoqërore do të mund që nëpërmjet një adrese personale të kenë akses në të gjithë informacionin për vitet e tyre të punës, masën e kontributit të derdhur apo dhe përllogaritjet dhe çdo ndryshim që bëhet për ta në çdo vit. Kjo është arritur në saj të një projekti ndryshimi rrënjësor të mënyrës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore. “Do të mund të aksesojnë nga një kompjuter personal historinë e pensionit, përfitimet në rritje apo në natyrë tjetër dhe kompensimet. Sistemi ka bërë një ndryshim të rëndësishëm që do mundësojë transparencë, krijimin e llogarive personale dhe kontrollin e fondeve që administron instituti”, deklarojnë ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në një projekt të gjatë kohor Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar softe për sistemin financiar, llogaritjen automatike të përfitimeve dhe krijimin e llogarive personale. Është krijuar regjistri unik kombëtar i pensioneve, si dhe të gjithë të dhënat që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë të shtetasve shqiptarë. Regjistër ky që do shkurtojë kohën e përgatitjes së dokumentacionit për daljen në pension, si dhe do evitojë sorollatjen për të gjetur vitet e punës nëpër ndërmarrje që tashmë janë zhdukur. Madje, të gjithë personat që kanë qenë në marrëdhënie pune para viteve ‘90 do të mund të kenë llogarinë e tyre dhe password-in e tyre duke filluar nga muaji qershor i këtij viti.

Pensionet private

Me rreth 1 mijë e 300 kontribues është rritur tregu i pensioneve private vullnetare në Shqipëri gjatë një viti. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit të shkuar, në tre kompanitë që operojnë në fondet private të pensioneve në numri i anëtarëve ishte rreth 6 mijë e 300 nga 5 mijë që ishte në 2010-ën. Dinamika në Fondet e Pensioneve Private ka qenë e mirë, pasi në janarin e vitit 2011 operonte vetëm një kompani, ndërsa një vit më vonë numri i operatorëve ishte tre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›