Integrimi ne BE liria e medias dhe e fjales
Komisioni Europian dhe Ministria e Integrimit zhvilluan sot një seminar për lirinë e medias dhe fjalës në funksion të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e saj, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu bëri me dije faktin se janë ndërmarrë reforma për lirinë e medias, pasi ky proces është thelbësor për demokracinë.
Njëkohësisht ministrja vlerësoi se media është e pandikuar nga politika, por megjithatë gazetarët përballen me sfida që ndikojnë drejtpërsëdrejti me lirinë e tyre. Për këtë arsye, në gjykimin e saj, është i domosdoshëm përmirësimi standardeve për lirinë e medias, ndërkohë që vetë pushteti i medias duhet të forcohet nëpërmjet lirisë brenda saj.
“Diskutimi për lirinë e medias për vendet aspirante në BE, nuk limitohet me lidhjet qeveri-media, apo ndërhyrja e politikanëve, qeveria ndërton politika, ndërsa vijën e hollë që ndan qëndrimin profesional, lirinë e brendshme nuk e vendos qeveria, por drejtuesit e mediave. Pushteti i medias duhet të forcohet në lirinë brenda tij", vuri në dukje Bregu.
Sipas, ambasadorit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, liria e medias mbetet jetike për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën evropiane.
“Për Bashkimin Europian ka shumë rëndësi liria e medias. Liria e fjalës është po aq e rëndësishme duhet të jetë solide ashtu si vetë demokracia. Liria e medias është jetike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Besoj e keni lexuar se çfarë thotë raporti për të. Si kudo në botë ne jemi ata që mund të sjellim ndryshimin, media të lira me gazetarë cilësorë”, nënvizoi Sequi, gjatë fjalës së tij në këtë seminar.
Gjithshtu, ambasadori Sequi solli në kujtesë faktin se BE ka investuar në Shqipëri për lirinë e medias, investim ky që sipas tij do të vazhdojë me trajnime dhe çmime për gazetarinë investigative.