Integrimi, nis konkursi për studentët
Ministria e Integrimit në bashkëpunim me universitetin e Tiranës dhe GTZ-në lançuan dje nisjen e një konkursi me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, Ekonomisë dhe Drejtësisë, të cilët do të japin me shkrim këndvështrimin e tyre rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Integrimit, “Mbështetur në njohuritë e tyre rreth kësaj çështjeje, por edhe duke patur në dispozicion libra dhe materiale të Qendrës së Informacionit dhe Dokumentacionit pranë Ministrisë së Integrimit, studentë të vitit të tretë dhe të katërt të këtyre fakulteteve do të shkruajnë ese që do të përzgjidhen dhe vlerësohen nga një juri ekspertësh të Ministrisë së Integrimit dhe përfaqësues të UT-së”. Çmimi i parë do të jetë një shkollë verore studimi në Gjermani për një periudhë kohe katërjavore, me seminare rreth procesit të integrimit, çmimi i dytë do të jetë një kurs gjuhe gjermane niveli i parë dhe çmimi i tretë një paketë librash.