Replika e Lalës: Ka ngrënë peshk sa rrezikon mbipeshën
Altin Lala e ka cilësuar si zgjidhjen më të mirë largimin e Ari Hanit nga kreu i Kombëtares shqiptare, por kapiteni kuqezi nuk e ka kapërdirë dot deklaratën e holandezit, që ka thënë se në Shqipëri nuk kishte as bukë dhe as ujë. Fillimisht e ka pasur të vështirë ta besojë, por më pas nuk i ka kursyer kritikat në adresë të holandezit. Në një intervistë për "Panorama Sport", mesfushori shprehet pro një trajneri të huaj. "Është fyese të flasësh kështu për një vend ku ke punuar dhe kushtet kanë qenë vërtetë të mira. Ari Han kurrsesi nuk duhej t'i thoshte këto gjëra, sepse janë tërësisht të pavërteta. Mund të ankohej për lojtarët, për skuadrën që kishte në dispozicion, por jo për të tilla gjëra. Madje, aq peshk sa ka ngrënë ai këtu në Shqipëri, ma merr mendja se do të ketë shtuar në peshë. Nëse e ka thënë këtë, ka treguar karakterin e tij të vërtetë. Nuk kam çfarë të them më tepër. Nuk mendoj se kombëtarja jonë ka vuajtur ndonjëherë në Shqipëri për ushqimin apo për kushtet. Madje mund të them se Ari Hani në Shqipëri ka pasur atë ushqim që në Holandë nuk ka mundur ta ketë. Ne ishim në Holandë kur na drejtonte Bariçi dhe atje po që ishte ushqim i shpifur. Unë kam qenë prezent kur Hani shpesh thurte elozhe për kuzhinën dhe mënyrën e gatimit në vendin tonë. Këtë nuk duhej ta kishte thënë", ka deklaruar Lala.