E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen në shqip historia e Perandorisë Osmane

 

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vjen vepra "Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman" në dy vëllime. Ky libër botohet nën përkujdesjen e veçantë të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) dhe hedh dritë mbi historinë e Perandorisë Osmane. Libri është hartuar nga një grup historianësh turq, ku vlen të përmendësh disa nga emrat më të shquar të studimeve historike, si Prof. dr. Ekmeleddin ?hsanoglu, Prof. dr. Feridun Emecen, Prof. dr. Mehmet Âkif Aydin etj. dhe është përkthyer në gjuhën shqipe nga AIITC. Ky grup ekspertësh ka inspektuar arshivat e pasura në thellësi dhe ka nxjerrë në pah elementë të rinj të pikturës historike. Pa dyshim që kjo punë kolosale, ka regjistruar një hap shumë të rëndësishëm, që meriton vëmendje. Autorët, për hartimin e librit,  përdorën burimet e arkivave, kronikat osmane, studimet e historianëve bashkëkohorë, si dhe burimet perëndimore. Synimi i librit është prurja e një perspektive të re, duke u bazuar në informacion objektiv dhe të besueshëm nga kërkimet e fundit shkencore. Libri nuk përmban përafrimin klasik të kronologjisë në historiografi me përshkrimet e ngjarjeve gjatë sundimeve të sulltanëve. Përshkrimet jepen vetëm kur është e nevojshme. Gjithçka paraqitet në mënyrë analitike, në përpjekje për ta shpalosur të plotë subjektin dhe në të njëjtën kohë, për të përcaktuar lidhjen ndërmjet shkaqeve dhe pasojave të ngjarjeve politike. Nuk bëhet thjesht paraqitje faktesh, por qartësohen  dhe shpjegohen me baza argumentuese institucionet e civilizimit osman, duke pasur si pikësynim përfshirjen e të gjithë Perandorisë Osmane, pa përjashtuar Anadollin, Rumelinë dhe Arabinë. Studiues të njohur, specialistë në fushat e tyre, shkruajnë artikuj në këtë libër. Secili nga këta kapituj mund të ishte një libër më vete. Gjithashtu, jepet ecuria e historiografisë dhe shpaloset realiteti osman në tërësi, sepse brenda çdo periudhe pasqyrohen pikëpamjet politike, shoqërore dhe shkencore. Shumë nga të dhënat dhe informacionet konkretizohen edhe me imazhe e miniatura, me qëllimin për të përcjellë sa më qartë përmasat e Perandorisë Osmane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›