E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të shqetësuar që 700 mijë zgjedhës s’mund të votojnë”

 

tirane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë maxhorancës dhe opozitës në vend të punojë fort për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, tha mbrëmë në një intervistë në “Top Story” të Sokol Ballës në Top Channel, se të gjithë shtetasit duhet të votojnë. Sipas tij, shqetësim mbeten rreth 700 mijë qytetarë që nuk kanë asnjë dokument identifikimi për të votuar në 28 qershor.
Ndërkombëtarët po i quajnë zgjedhjet si një provë jetike për demokracinë. Pse kaq vëmendje ndërkombëtare ndaj një procesi që duhet të ishte normal ndaj një vendi anëtar të NATO-s?
Është e ditur tashmë që proceset zgjedhore në Shqipëri kanë qenë të debatueshme, ka pasur probleme me mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet dhe me transparencën bazë të procesit zgjedhor. Mendoj se Shqipëria rritet dhe hyn në skenën ndërkombëtare dhe i duhet të përmbushë përgjegjësi të reja që vijnë me këtë status të ri dhe një nga këto përgjegjësi është mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente. Kjo është një përgjegjësi që vjen me fitimin e këtij statusi për të qenë vend anëtar i NATO-s.
Reforma elektorale është bërë, regjistri elektronik gjithashtu, ka filluar prej disa muajsh aplikimi i letërnjoftimeve të reja dhe pasaportat biometrike, me kufizimet që ka vendosur qeveria dhe megjithatë opozita thotë se qeveria po luan me zgjedhjet si me zjarrin. Cilat janë informacionet që ju dispononi në këtë drejtim zoti ambasador?
Parimi themelor që është i rëndësishëm dhe që mendoj se është në thelbin e debatit demokratik aktual, është e drejta universale për të gjithë qytetarët për të votuar. Mendoj se kjo është në kërkesat absolute që ne si amerikanë kemi, ndërsa vlerësojmë nëse zgjedhjet janë të lira, të ndershme dhe transparente. Çdo qytetar ka të drejtë për të votuar, çdo votë që ai hedh duhet të numërohet në mënyrë të saktë dhe askujt nuk duhet t’i mohohet në mënyrë të padrejtë mundësia për të votuar. Ky është një parim themelor mbi të cilin ne besojmë fuqishëm. Ne në historinë e SHBA kemi kaluar periudha të gjata, në të cilat parimi themelor i votës nuk respektohet, në periudha të caktuara të historisë sonë gratë përjashtoheshin nga e drejta për të votuar, një periudhë e gjatë ku afro-amerikanët ndaloheshin për të votuar. Përmes kësaj eksperience të gjatë historike, ne kemi arritur në vlerësimin e këtij elementi thelbësor të besimit tonë, pra askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta për të votuar për shkak të racës së tij, besimit fetar, statusit ekonomik apo social, apo çdo lloj kriteri tjetër. Në këtë moment në Shqipëri mendoj se ky është qëllimi që drejtuesit politikë të të gjitha ngjyrave duhet të mbajnë parasysh. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar lidhur me 700 mijë qytetarë që në këtë moment akoma nuk kanë elementin identifikues, as pasaportë, as letërnjoftimet e reja që t’u mundësonte të votonin. Është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve që këta qytetarë të jenë fokusi kryesor dhe objektivi parësor, që kur të vijë dita e zgjedhjeve kjo e drejtë e votës e përgjithshme për çdo qytetar, të jetë një fakt i demonstrueshëm dhe jo diçka që shpresonin të ishte. Kjo është shumë e rëndësishme.
Firma që po prodhon kartat e identitetit është një firmë e huaj. A është kjo garanci e mjaftueshme që në zgjedhje të mos zbulohen votues me karta të rreme identitetit?
Mendoj se nuk është në detyrën e komunitetit ndërkombëtar të futet në këtë analizë. Ekziston një sistem mekanizmash, të gjitha palët duhet të punojnë shumë. Ajo që unë shpresoj që të gjithë drejtuesit politikë të vendit të punojnë së bashku për të arritur këtë qëllim të madh, që është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e transparente. Mbajtja e zgjedhjeve me këto standarde pritet nga një vend anëtar i NATO-s. Është në dorën e shoqërisë shqiptare dhe klasës politike në vend që të zgjidhë këto vështirësi të veçanta për të çuar në realizimin e këtij objektivi të madh. Është shumë e rëndësishme të punohet shumë dhe të evitohen këto skenarë që përmendët edhe ju.
Ju e bëtë të qartë që përgjegjësitë nuk duhet t’i kërkojmë tek të huajt, por te pala shqiptare...
Janë zgjedhje shqiptare. Përgjegjësia kryesore bie mbi shqiptarët. Mendoj se ka akoma kohë, por është momenti për t’u përqendruar në këto objektiva dhe të shohin pikërisht qëllimin që këto zgjedhje të përmbushin standardet ndërkombëtare.
Sekretarja e Shtetit, Klinton, pati takimin e saj të parë me kryeministrin e Shqipërisë dhe çështja e zgjedhjeve ishte një nga çështjet e diskutuara dhe garancitë që Berisha i dha asaj. Jeni në dijeni të një letre të fundit dërguar nga lideri i opozitës Rama, sekretares Klinton për problemet e përgatitjes së procesit zgjedhor?
Është e rëndësishme që në këtë moment të mos futemi në shkëmbimet e ndryshme diplomatike. Qëllimi, objektivat këtu, njerëzit i njohin problemet me të cilat janë ballafaquar tani dhe mendoj se ky duhet të jetë përqendrimi dhe fokusi në këto momente. Fokusi duhet të jetë në trajtimin e këtyre problemeve dhe për t’i zgjidhur ato dhe për të siguruar që këto zgjedhje të mbahen me një frymë pozitive, transparente dhe të lira e të ndershme.
Çfarë do të thoshte për Shqipërinë në NATO një proces elektoral dhe i kontestuar?
Nuk mendoj se duhet që në këto momente të bëjmë parashikime negative. Mendoj se kemi kohë. Ajo çka është e domosdoshme është se këto forca politike në vend të punojnë fort, që të mos duhet të shqetësohemi për mundësinë e zgjedhjeve të debatueshme. Përgjegjësia kryesore është e shqiptarëve, që të ndërmarrin këto hapa që zgjedhjet të jenë të suksesshme. Çdo shqetësim që të mos jenë të suksesshme të mos materializohet.
Ju keni mbajtur një qëndrim të fortë dhe pa ekuivok që në ditën e parë për hetimin e çështjes së Gërdecit apo aferës së prezumuar të trafikut të municioneve drejt Afganistanit. Mendoni se kështu po vepron edhe Prokuroria, zoti ambasador?
Unë mendoj këtë dhe e mendoj në një eksperiencë shumë personale. Një shikim pa pengesa i të gjithë fakteve në fund do të çojë tek e vërteta, kjo ka qenë gjithmonë në thelbin e deklaratave të mia. Sistemi gjyqësor të ketë mundësi të operojë i pavarur nga ndërhyrjet politike apo presionet politike. Sistemit gjyqësor duhet t’i jepet ajo hapësirë që të bëjë punën e tij, të bëjë punën në përputhje me dispozitat e ligjit dhe jo ndikimet politike. Anëtarë të stafit tonë u ballafaquan me akuza nga një komitet i kongresit. Këto ishin akuza serioze dhe ne na u desh të punonim shumë që të paraqisnim faktet tona, për të treguar që ato aludime ishin të rreme. Së fundi, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Drejtësisë na shpallën të pafajshëm. Ky zhvillim riforcon edhe njëherë bindjen time të thellë dhe absolute, që një sistem i forcuar, një sistem gjyqësor i pavarur të lejohet të hetojë kudo që të çojnë provat, pa sulme politike dhe pa presione politike. Sistemi i drejtësisë në tërësinë e tij duhet t’i jepet pavarësia që atyre i nevojitet dhe e meritojnë, si institucione themelore të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria do të përmbushë ato standarde të larta të të drejtave demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›