E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukëshkali Han: Në Shqipëri as bukë e as ujë

 

Jetmir Halilaj

Vetëm një ditë pasi ka shkëputur bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri holandez Ari Han, ka lëshuar kritika të ashpra, madje ka mbërritur deri në fyerje për të përshkruar Shqipërinë dhe futbollin shqiptar për kohën sa drejtoi ekipin kuqezi. Han ka vazhduar të ngulë këmbë se Shqipëria nuk ka kapacitete të kërkojë rezultate më të mëdha sesa ka arritur ai për një vit e pak muaj sa ishte në krye të Kombëtares. Në një intervistë dhënë "voetbalprimeur. nl", të enjten, Han, ka deklaruar se në Shqipëri asgjë nuk funksiononte. Ai është larguar nga drejtimi i Shqipërisë të mërkurën pas një presioni të madh të bërë nga FSHF-ja dhe opinioni sportiv. Megjithatë, si kompromis për largimin e parakohshëm Han do të marrë edhe tri pagat e muajve pa punuar fare (prill, maj dhe qershor).
Deklarata
"Ata (shqiptarët) duhet të thonë diçka", ka thënë Han për "Voetbal International"" kur është pyetur nëse vërtet Shqipëria ka devijuar nga objektivat e saj në këto eliminatore. Sipas tij, Shqipëria, përveçse për cilësi, vuan edhe për organizim. "Atje nuk ishte asgjë në rregull. Hotelet nuk ishin në rregull, pa ushqim, pa pije. Më duhej shpeshherë të bëja edhe punën e menaxherit të ekipit. Pas një diskutimi me presidentin Duka përfunduam gjithçka - ka thënë Han. - Ndoshta kam kërkuar shumë gjëra në të njëjtën kohë. Duhej ta kisha parashikuar se në vende si Shqipëria nuk është gjithçka e mundur. Prandaj dhe nuk kemi fituar". Han ka lënë të kuptohet se nuk është pa oferta. Sipas tij, Federata e Futbollit e Kinës ka shprehur dëshirën ta angazhojë. "Megjithatë, momentalisht më duhet një pushim", ka vazhduar Han. Kanë qenë të shumtë ata që kanë mirëpritur largimin e holandezit. Zhgënjimin për ndeshjet e dobëta nën drejtimin e holandezit Han, të enjten e ka shprehur edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. "Nuk më vjen mirë për formën aktuale të ekipit kombëtar. Pavarësisht nga njohuritë e shumta që kam rreth futbollit, nuk dëshiroj të ndërhyj në çështje që do t'i konsideroja ekskluzivitete të institucioneve zyrtare të sportit", ka thënë Topi. Ndërkohë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, një pjesë të fajit për dështimin në këtë cikël eliminator ia ka faturuar tashmë ish-trajnerit. "Arsyet e largimit dihen, rezultatet jo të mira të Kombëtares dhe natyrisht një pjesë e përgjegjësisë është edhe e trajnerit, por jo e gjitha". Duka nuk ka përjashtuar mundësinë që në krye të Kombëtares të vijë një trajner shqiptar. Sipas tij, objektivi i pasardhësit të Hanit do të jetë përgatitja e ekipit për "Euro 2012". "Botërori 2010" mbetet kujtim i hidhur për kuqezinjtë. "Trajner mund të jetë kushdo që është i përshtatshëm, do të shohim ofertat", ka thënë Duka. Nën drejtimin e Hanit Shqipëria ka zhvilluar dhjetë ndeshje, ka fituar dy, ka barazuar katër herë dhe ka humbur katër herë. Pas shtatë ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2010, Shqipëria ka arritur të mbledhë vetëm gjashtë pikë. Tri ndeshjet e fundit do t'i zhvillojë kundër tre pretendentëve kryesorë për të fituar Grupin e parë: do ta presë Portugalinë dhe Danimarkën dhe do të luajë jashtë kundër Suedisë. Vetë drejtuesit e Federatës kanë lënë të kuptohet se këtë edicion nuk mund të ndryshojnë më fatet e skuadrës shqiptare, e cila tashmë e ka "salduar" vendin e pestë në grupin 1, me gjashtë pikë të grumbulluara në shtatë ndeshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›