Arsimi, Berisha në Korçë: Ramës i ka ngelur ora
Duke folur për sistemin arsimor, Berisha ka deklaruar se opozitës i ka ngelur ora pas tek e shkuara, duke theksuar se ajo kohe nuk kthehet më
KORÇË Shanset për një kompromis mes palëve për paktin e propozuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, duken shumë të pakta. Ndërsa kryetari i opozitës bëri thirrjen e radhës dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga qyteti i Korçës, se Ramës i ka mbetur ora nga e kaluara. Berisha ishte dje në Universitetin “Fan Noli”, nga ku u drejtoi një përshëndetje studentëve mbarë vendit, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2011-2012, ditë e cila përkon edhe me 40-vjetorin e krijimit të Universitetit “Fan Noli”. Duke folur për sistemin arsimor në vend, Berisha tha: “Atyre që kanë frikë nga rritja e përqindjes së të diplomuarve në vend, dua t’ju them se ora e tyre ka mbetur në kohën kur i gjithë vendi kishte studentë ndoshta më pak se ç’ka sot Universiteti i Korçës. Ajo kohë nuk kthehet më. Ne jetojmë në një botë të hapur dhe ne, në rrugëtimin tonë kemi një dhe vetëm një alternativë, të ndjekim garën. Le t’u referohemi fakteve. Shqipëria në vitin 2001 kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 8 herë më pak se SHBA-të, kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 7 herë më pak se vendet e gadishullit skandinav. Kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 6 herë më pak se një numër i madh i vendeve të zhvilluara të Evropës. Me gjithë përpjekjet që kemi bërë të dashur pedagogë dhe pedagoge, sërish jemi disa herë mbrapa këtyre vendeve, kemi gjithsej 240 mijë të diplomuar, duhet të kishim së paku tri herë më shumë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diplomat universitare”, - tha Berisha. Kryeministri foli edhe për reformën në sistemin arsimor. “Kudo reformat duhet të jenë “perpetum mobile”, por në universitete në të cilat koha është më e shenjtë se kudo tjetër, më e pamëshirë se kudo tjetër, ne duhet të jemi në mënyrë permanente në reforma, në mënyrë që të qëndrojmë, të kapim horizontin që shfaqet. Kjo kërkon së pari të fillojmë dhe të konsolidojmë liritë tuaja. Liria dhe universiteti janë një dhe të pandarë. Kjo vjen nga fakti se ju që mësoni të vërtetat dhe e vërteta është që po të marrësh lirinë në rrafshin filozofik, nuk është gjë tjetër veçse një tërësi të vërtetash dhe askund tjetër, e vërteta nuk qëmtohet më shumë se kudo, veçse në universitete”, - tha ai, duke shtuar një kërkesë edhe për tekstet që shkruhen për universitetet. “Në kohën time shkruaja tekste bashkë me një shok timin, ai ishte gjeodez shumë i zoti dhe më thotë: Sali, e di ç’më ndodh? Vendos 10 tekste në tavolinë dhe më del se faqja që shkruaj unë është më e dobëta e tekstit prej tyre. Nuk është nevoja të bëhemi tekstshkrues ne. Ne duhet të përkthejmë tekste më të mira. Qeveria duhet të përcaktojë fonde në buxhet për përkthimin e teksteve në universitete. Studentët kanë tani internet, kanë mundësi të marrin tekste, por ndërkohë iu ofrohen dhe tekstet më të mira të kohës. Po ndryshojmë mekanizmin financiar. Reforma është reformë. Pse po ndryshojmë mekanizmin financiar?. Po e ndryshojmë që të konsolidojmë lirinë akademike, po e ndryshojmë që ju të keni mundësi të bëni një menaxhim shumë më të mirë. Po e ndryshojmë edhe për një arsye tjetër, që aty ku takoheni me qeverinë të jeni më të lirë, se duhet të vendosim disa mekanizma në mënyrë që ju të merrni vendimet që doni. Qeveria është e detyruar të qëndrojë pas atyre fiskalë, por diversifikimi i mekanizimit të financimit dhe vendosja e sistemit më të mirë të financimit është kushti i të gjitha kushteve për suksesin akademik, për cilësinë në universitete”, - tha Berisha.