E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonfigurimi i aleancave parazgjedhore

Duke analizuar në tërësi ecurinë e sistemit partiak të zgjedhjeve dhe të koalicioneve qeveritare dhe opozitare gjatë periudhës 17-vjeçare, konstatohet se dukuria e shndërrimit të grupeve apo të individëve të veçantë brenda një partie politike drejt formimit të partive të reja, ka qenë kryesisht produkt i dy partive kryesore. Këto parti në vite kanë nxitur formimin e partive të vogla dhe mbajtjen e tyre në jetën parlamentare përmes dhurimit të votave ose të mandateve për të rritur praninë e spektrit të tyre politik në komisionet e votimit si dhe për të krijuar idenë e koalicioneve të mëdha politike.

Kjo dukuri ka ndikuar në konfigurimin e Parlamentit si dhe në raportet e ndërtuara me elektoratin. Nga pikëpamja e konfigurimit të Parlamentit, hyrja në garën zgjedhore nëpërmjet ndërtimit të koalicioneve me dy partitë e mëdha ka krijuar fragmentarizmin e Parlamentit duke iu dhënë atyre një rol të rëndësishëm në sigurimin e shumicave parlamentare. Por në anën tjetër është konstatuar se ky numër i vendeve në Parlament ka qenë në përpjesëtim të zhdrejtë me peshën e tyre elektorale. Pa dyshim, ky kontrast ndërmjet pozitës “de jure” të këtyre partive në Parlament dhe peshës “de fakto” në elektorat ka krijuar disa anomali për sa i përket funksionimit të jetës normale të këtyre partive.

Një aspekt i anomalisë lidhet me raportin e këtyre partive me elektoratin real që ato duhet të përfaqësojnë. Kryesisht, paritë e vogla në të dy kampet gjatë gjithë kësaj periudhe kanë tentuar që të rrisin peshën e tyre elektorale jo nëpërmjet ushtrimit të taktikave për të tërhequr vëmendjen e grupeve shoqërore, por me anë të “taktikave negociuese” me krerët e partive kryesore. Këto të fundit duke instrumentalizuar procesin zgjedhor dhe defektet që ka prodhuar formula zgjedhore, siç ishte ajo e “Dushkut”, kanë arritur të plotësojnë interesat e këtyre partive duke i dhënë kështu një vlerë të caktuar procesit të bisedimeve parazgjedhore. Në këto kushte, e gjithë strategjia zgjedhore është fokusuar “lart”, duke u përqendruar tek procesi i bisedimeve me krerët e dy partive të mëdha sesa “poshtë” në ideimin e mjeteve për të tërhequr vëmendjen e elektoratit.

Sot ne jemi afër fillimit të fushatës elektorale dhe normalistë shtrojmë pyetjen nëse kjo strategji do të vazhdojë të manifestohet përsëri nga këto parti? E ngremë këtë pyetje pasi rrethanat mbi të cilën ka funksionuar kjo strategji elektorale kanë ndryshuar dhe pa dyshim këto ndryshime mund të manifestohen edhe në përmbajtjen e vet strategjisë.

Elementi i parë i ndryshuar është natyra e sistemit zgjedhor, i cili siç njihet, teorikisht i jep një trajtë tjetër rrjedhojave të fenomenit “Dushk”. Kështu që minimizohet mundësia e favorizimeve apo diskriminimeve të x kandidati apo force politike nga ana e partive kryesore në kurriz të një kandidati apo partie tjetër. Në këto kushte, partitë përqendrohen në bisedime më shumë tek përzgjedhja e kandidatëve dhe ndarja zonale sesa tek përcaktimi i partive ose kandidatëve ku mund të “vidhen vota”.

Elementi tjetër i rëndësishëm lidhet me formulën zgjedhore. Proporcionali rajonal për shkak të rritjes së nivelit të pragut elektoral u krijon më shumë shanse për të përfituar nga votat e partive të tjera që nuk e kalojnë këtë prag sesa me sistemin e kaluar. Në këtë kontekst partitë kryesore do të orientohen për të ndërtuar aleanca me partitë e vogla mbi bazën e peshës elektorale sesa thjesht nga logot që ata kanë me qëllim që në rastin më të mirë të sigurohet shumica e nevojshme për qeverisje dhe në rastin më të keq të përfitohet nga përqindja e votave të këtyre partive për të rritur numrin e vendeve në Parlament. Ky kalkulim mund të vërë në pikëpyetje mbijetesën e disa partive të cilat ekzistojnë në tregun politik jo si pasojë e grupeve shoqërore që përfaqësojnë por falë “zemërgjerësisë” së shfaqur nga dy forcat kryesore politike. Ky fakt, pa dyshim do të reflektojë në sjelljen e këtyre forcave, ku mbijetesa do të justifikojë çdo parim, krah politik apo histori të përbashkët.

Një element tjetër lidhet me aspektin e administrimit të zgjedhjeve. Siç dihet, detyrimi i qeverisë përballë institucioneve ndërkombëtare për të garantuar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve, ka rezultuar më iniciativa të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës zgjedhore. Zgjedhjet e fundit të zhvilluara në disa zona në nivel qendror dhe lokal kanë testuar një pjesë të këtyre nismave duke na ofruar një proces zgjedhor të përmirësuar dhe një rezultat të pakontestuar. Ky fakt zbeh mundësinë e manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e disa partive të përfaqësuara në qeveri të cilat në rrethanat e reja pesha e tyre elektorale do të përcaktohet kryesisht nga niveli i votëbesimit të elektoratit ose nga mënyra e negocimit me partitë kryesore dhe jo nga tentativat manipuluese të rezultatit të zgjedhjeve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›