Vota për “Aleancën për Qytetarin”, votë për programin dhe projektin e zhvillimit të qytetit
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet prezanton në Librazhd kandidatin për kryetar bashkie, z.Shefki Çota
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka vijuar turin elektoral në Qarkun e Elbasanit, duke u ndaluar në Librazhd, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Shefki Çota, duke kërkuar votën e të gjithë qytetarëve të Librazhdit, si një kontribut për mirëqeverisjen e këtij qyteti. Idrizi theksoi se PDIU është një parti e çështjes kombëtare dhe iu bashkua nismës të zhvilluar në Kosovë për bashkimin e ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, si një nismë që kontribuon në zhvillimin e diplomacisë shqiptare. Më tej në fjalën e tij kreu i PDIU-së, Idrizi nënvizoi se “Shqipëria dhe Kosova duhet të integrohen mes njëra-tjetrës, brenda rregullave dhe parimeve ndërkombëtare. Bashkimi ekonomik është një aspekt i nevojshëm, që ne e kemi deklaruar gjithnjë dhe do ta kemi në qendër të programit tonë”- u shpreh kryetari i PDIU-së, Idrizi. Më tej në fjalën e tij, Idrizi theksoi se partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bashkohet nismës të shpalosur pak ditë më parë në Kosovë, që Shqipëria dhe Kosova të kenë një politikë të jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta, ashtu sikurse kanë edhe shtete të tjera. Kjo është një domosdoshmëri e kohës dhe e nevojave të kombit shqiptar- shtoi po ashtu, kreu i PDIU-së Idrizi. “Vota juaj këtë herë është një votë për bashkëqytetarin tuaj, për një person që ka një program të qartë dhe të pastër për qytetin e Librazhdit”- tha ai. Kreu i PDIU-së u bëri thirrje të gjithëve të votojnë për Shefki Çotën si kryetar i Bashkisë Librazhd dhe për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për këshillin bashkiak. Po ashtu kreu i PDIU-së u ndal edhe në Cërrik, ku i ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Cërrikut që të mbështesin Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për të qenë një barrierë ndaj çdo veprimi antishqiptar. PDIU, si pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka paraqitur kandidatin e saj në Bashkinë Librazhd, ndërkohë që në komunat e tjera të këtij rrethi dhe në Rrethin Elbasan, kandidon për anëtar të këshillave komunalë dhe bashkiak.