E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i PD: “Godinës së SHQUP do t’i kthejmë seriozitetin - Koncepti i Ramës për pushtetin, është eliminimi i opozitës”

17-08-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike përshëndeti dje vendimin e autoriteteve të larta shtetërore për të dhënë një godinë publike (ish-SHQUP-in) si seli qendrore të opozites. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi deklaroi se vendime të ngjashme janë marrë që prej viteve ‘90 edhe për parti të tjera politike, përfshirë këtu edhe Partinë Socialiste. “Ish shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, e cila prej kohësh ka humbur funksionet institucionale publike, do t’i kthehet rëndësia dhe serioziteti i munguar. Ky ambient do modernizohet dhe do të funksionojë si një nga institucionet më të rëndësishme publike, si vendi i opozitarizmit, i alternativës qeverisëse, institucioni ku do të lindë një projekt i ri politik për Shqipërinë! Në çdo vend demokratik përmirësimi i kushteve të punës së opozitës do të kishtë marrë përgëzime. Institucioni i opozitës është themeli i demokracisë dhe kollonë e zhvillimit të një kombi”- u shpreh Vorpsi. Sipas saj, përpos këtij akti sa moral, demokratik dhe ligjor, po del në pah një fenomen i rrezikshëm: lufta e paskrupullt për të minuar aktivitetin institucional të opozitës! Partia Demokratike se me reagimin e tij, përmes një gjuhe të ashpër, antidemokratike dhe jo dinjitoze, Rama dëshmoi edhe njëherë se koncepti i tij për pushtetin është eliminimi i opozitës. “Prej mëse dy javësh marioneta të pushtetarëve të nesërm kanë nisur një sulm të paprecedentë ndaj Partisë Demokratike. Vajtojnë për fatet e një ish-restoranti të ushtrisë ata që vite më parë, për interesa pushteti sakrifikuan të gjithë infrastrukturën ushtarake të vendit, ata që bënë çmos të pengonin hyrjen në Aleancën Veri-Atlantike. Partia Demokratike e vlerëson lart Ushtrinë Shqiptare. Qeverisjet e Partisë Demokratike modernizuan armatën, e ngritën në nivelin e ushtrive perëndimore dhe e anëtarësuan në NATO, aleancën politiko-ushtarake më prestigjioze në historinë e njerëzimit. Kërcënimet publike ndaj figurave të rëndësishme shtetërore, gjuha e urrejtjes dhe mllëfi anti opozitar dëshmojnë reflekset e regjimeve totalitare. Kulmi i marrëzisë dhe etjes për revansh u shënua dje nga kreu i mazhorancës së re. Me një gjuhë të ashper, anti-demokratike, jo dinjitoze për një kryeministër të kohëve moderne, kryesocialisti Rama dëshmoi edhe njëherë se koncepti i tij për pushtetin është eliminimi i opozitës. I errësuar nga urrejtja patologjike ndaj kundershtarit, ky personazh politik nuk po ngrihet dot ne moralin dhe etiken e nje lideri mazhorance Demokratike. Reflekset e njeriut-shtet që ëndërron të bëjë njëherësh kryeministrin, kryeprokurorin, gjykatësin dhe ekzekutuesin, flasin për rrezikun e rilindjes së autokracisë, të rënies së shtetit në duart e një sundimtari. Jo selia e re e Partisë Demokratike, por reflekset autoritare, mungesa e përvojës ekzekutive e qeveritarëve të rinj, legjitimiteti i dëmtuar nga shit-blerja masive e votës, inkriminimi i një pjese të grupeve parlamentare si dhe tendencat për monopolizim të ekonomisë nga biznesmenë me pushtet, janë sfidat reale të shoqërisë shqiptare. Për këtë luftë parimore për shtetin, demokracinë, lirinë dhe zhvillimin ekonomik, Partia Demokratike do jetë në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të interesave dhe vlerave të tyre perëndimore!”, përfundon deklarata për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›