E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, Kapelo zëvendësuesi i Murinjos

Portugezi lë të hapur mundësinë e largimit pas triumfit në Kupën e Italisë

Klauzola, reflektime, miliona euro: në këtë fundsezoni ka shumë të panjohura që duhet të marrin zgjidhje rreth pankinave. Negociatat janë të shumta, në lojë ka shifra marramendëse financiare për dëshirat (thuajse) të ndaluara. Zërat më të fundit lidhen me Fabio Kapelon. Trajneri i Kombëtares angleze, për të cilin fillimisht u interesuan drejtuesit e Juventusit, është alternativa e preferuar e presidentit të Interit, Masimo Morati, në rast se Zhoze Murinjo vendos të largohet. Kësaj radhe, luzitani i zhgënjyer nga mënyra sesi funksionon futbolli në Itali, nuk do ta shpërdoronte shansin për të punuar te Reali: në Madrid janë të gatshëm ta presin me krahët hapur që prej 22 majit, finales së Champions League, që zikaltrit do të luajnë kundër Bajernit të Mynihut. Pavarësisht rezultatit në “Santiago Bernabeu”, qoftë ai fitore apo humbje, Murinjo duket i bindur për të ndryshuar ambient. Paratë nuk janë një problem për “specialin”: ai është i gatshëm që të heqë dorë nga 12 milionë eurot që përfiton në vit tek Interit dhe do të pranonte një rrogë më të ulët te gjigantët spanjollë. Sipas “Il Giornale”, Florentino Perez i ka paraqitur një ofertë konkrete portugezit, ku rroga është dukshëm më e ulët. Kjo, edhe për faktin se drejtuesi i Realit është shprehur i gatshëm që të paguajë edhe 7 milionë euro te klubi italian, ashtu siç e parashikon klauzola për prishjen e kontratës. Sa më shumë fiton Interi, aq më tepër Murinjo duket pranë skuadrës “merengue”. Spekulimet shtyhen edhe nga mediat spanjolle, të cilat i interpretuan deklaratat më të fundit të teknikut si një sinjal të qartë për emërimin e tij te “galaktikët”. “çfarë do të ndodhë me Interin nëse unë largohem? Tashmë kjo është një skuadër që do të arrijë rezultate të larta, pavarësisht emrit të trajnerit. Nuk ka më nevojë për mua, mund të fitojnë edhe pa praninë time. Sa janë shanset që të qëndroj? Për momentin mendoj vetëm të mbyll sezonin”, ishin batutat e “Mou”, të cilat vazhdojnë të lënë pa gjumë tifozët interistë.

Pasiguritë e shfaqura nga Zhoze Murinjo kanë bërë që drejtuesit e Interit të studiojnë alternativat për zëvendësuesin e tij. Në krye të listës së dëshirave është Fabio Kapelo. Pesë vjet më parë, Morati dhe ish-trajneri i Milanit dhe Juves kishin pasur një bisedë bashkëpunimi. “Më donte në krye të skuadrës”, rrëfente Kapelo, i cili këshilloi padronin zikaltër të blinte Patrik Vieiranë dhe Zlatan Ibrahimoviç. Por, futbolli italian u trondit, “Calciopoli” gjunjëzoi Juventusin dhe operacioni dështoi, pasi afrimi i trajnerit të “armikes së madhe” do të ishte kundër principeve të Interit. Së fundmi, “Don Fabio” ka pranuar se nëse nuk do të ndodhte skandali në Serinë A, ndoshta nuk do të kishte marrë kurrë drejtimin e Anglisë. Gjithsesi, ai e cilësoi emërimin te “Tre Luanët” si një vendim që ka ardhur në kohën e duhur. Mësohet se Interi e ka bërë tentativën e parë për afrimin e trajnerit dhe rroga nuk përbën asnjë problem: Kapelo përfiton 8.23 milionë euro në sezon deri në vitin 2012 dhe është më i paguari nga trajnerët që do të marrin pjesë në Botërorin 2010. Ai mund të lirohet në korrik, pasi të përfundojë aktiviteti në Afrikën e Jugut, por çështja është a dëshiron të kthehet në një klub, për të zbritur përditë në fushat e stërvitjes.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›