Gjermania, lista e Kombëtares Lëv mbështetet te Bajerni i Mynihut
Botërori po afron dhe Gjermania ka nisur marshimin drejt Afrikës së Jugut me një listë paraprake të të grumbulluarve. Janë 27 futbollistët e përzgjedhur nga trajneri gjerman Joakim Lëv, 23 prej të cilëve do shkojnë në evenimentin e madh. është thirrur edhe portieri i Bajernit të Mynihut, Hans-Jorg Butt, që vjen pas dëmtimit të Rene Adler. Shtatë në total janë lojtarët e Bajernit: surprizë janë Thomas Myler e Holger Badstuber, dy nga protagonistët e sezonit në formacionin e Van Galit, në garë për një tripletë historike (Kupa e Gjermanisë, kampionati e Champions League). Lëv ka grumbulluar Marcel Jansen, të rikthyer nga një dëmtim dhe ka përjashtuar Torsten Frings (Verder Bremen) e Kevin Kuranji, ky i fundit i lënë në shtëpi edhe pse ka shënuar 18 gola në Bundesligë me Shalken. “Ndoshta nuk janë lojtarët më të mirë të momentit, ka thënë trajneri, por sigurisht ata më konstantët dhe që mund të integrohen më mirë në strukturën skuadrës dhe në idenë e lojës sonë. Idetë tona janë shumë të qarta. Kjo filozofi mbizotëron në këtë listë”. Mes të përjashtuarve është edhe Thomas Hitzlshperger, ish i Shtutgartit, aktualisht lojtar i Lacios. “Më ka kushtuar marrja e këtij vendimi dhe kur e mori lajmin, ka mbetur shumë, po shumë i zhgënjyer”. Për miqësoren e parë parapërgatitore në prag të botërorit, një ndeshje bamirësie kundër Maltës më 13 maj, Lëv do të jetë i privuar nga lojtarët e Bajernit të Mynihut dhe Verder Bremen, të cilët më 15 maj do të luajnë finalen e Kupës së Gjermanisë, dhe kapitenin Mikael Balak, që në të njëjtën ditë do të jetë i impenjuar në finalen e Kupës së Anglisë. Për testin me Maltën do të jenë 5 lojtarë të U-21. Lojtarët e Bajernit do të vihen në dispozicion të tij vetëm më 23 maj, një ditë pas finales së Champions League ndaj Interit dhe do të mungojnë në pjesën e parë të fazës përgatitore në Sicilia nga 14-21 maj. Pjesa e dytë, gjithnjë në Itali nga 21 maji deri më qershor, parashikon dy miqësore me Hungarinë (29 maj) dhe Bosnjën (3 qershor). Më 6 qershor do të bëhet nisja për në Afrikën e Jugut. Gjermania, gjysmëfinaliste katër vite më parë në botërorin e shtëpisë, bën pjesë në grupin D me Australianë (13 qershor), Serbinë (18 qershor) dhe Ganën (23 qershor).
#