Inter: Largohet Mançini, Murinjo do Kuarezmën
Mançini apo Murinjo? Zgjidhet dilema e presidentit të Interit, Masimo Morati, i cili ka vendosur të ndryshojë drejtuesin e stoli: largohet Mançini, i cili në 17:35 i rrëfen miqve "presidenti më largoi". Edhe pse shprehej i qetë dhe i sigurt se do të vazhdonte aventurën, klubi ka vendosur të marrë një rrugë tjetër. Në takimin e zhvilluar dje, Morati dhe Mançini kanë qëndruar vetëm për 25 minuta së bashku dhe sipas lajmeve të para, numri 1 i klubit zikaltër i ka komunikuar trajnerit "lajmin e keq". Përballë këtij vendimi, duket se Mançini nuk ka reaguar mirë, duke mos e fshehur çudinë. Kjo bën që mes palëve të mos ketë "akord xhentilmenësh": Mançini e ka kundërshtuar vendimin e drejtuesit, ndërsa Morati nga ana e tij duhet të shlyejë deri në fund kontratën me vlerë 24 milionë euro deri në vitin 2012. Ndërkohë, Branka është nisur në Lisbonë, për tu takuar me Hoze Murinjon. Sipas "Diario de Noticias", portugezi po studion gjuhën italiane prej pesë muajsh. Kjo cilësohet si një mënyrë e mirë për t‘i transmetuar klubit, mediave dhe tifozëve një imazh pozitiv të vetes, që prej ditës së "zbarkimit" në Milano. Ndërsa e përditshmja "O Jogo" theksonte në faqen e saj të parë një lajm merkatoje: pas kërkesës së Murinjos, Interi ka ofruar 30 milionë euro për Rikardo Kuarezman. Megjithatë, Porto nuk ka ndërmend të zbresë nga kërkesa prej 40 milionë eurosh për mesfushorin e krahut të Kombëtares portugeze. Pretendimet e tyre financiare mund të ulen vetëm për shkak të përjashtimit nga Liga e Kampioneve. Skandali me gjyqtarët i ka kushtuar klubit luzitan 6 pikë penalizim dhe në aktivitetin madhor për klube në Evropë mund të shkojë Benfika. Përveç Kuarezmës, kampionët e Italisë kanë konfirmuar edhe dy objektiva të tjera të merkatos së verës për përforcimin e mesfushës: Lampard dhe Deko. Ky i fundit ka marrë një ofertë edhe nga Çelsi. Sipas tabloidit britanik, "Daily Mirror", blerja e parë në epokën "Murinjo" do të jetë Lampard. Afrimi i trajnerit portugez do të sillte edhe "paqen" në ambientin interist: ai do të konfirmonte Luis Figon (armikun në dhomat e zhveshjes) dhe doktor Kombin, me të cilin Mançini ka pasur shumë përplasje. Duke bërë disa llogari të thjeshta, për Moratin kjo lëvizje paraqitet shumë e kushtueshme dhe mund të rriste në mënyrë marramendëse shpenzimet e klubit. Duke llogaritur shpenzimet për blerje, gjobat për përfundimin e njëanshëm të kontratave dhe rrogat e reja, presidenti zikaltër mund të shpenzojë në total afro 200 milionë euro.