Under-19, Kuqezinjtë e mbyllin të fundit
Humbja e dytë në tri ndeshje, këtë radhë kundër Kroacisë, ka vulosur vendin e fundit në Grupin 4 për kombëtaren Under-19 të Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Ramadan Shehu mposhtet 2-0 nga përfaqësuesja kroate, duke e mbyllur aventurën në Sllovaki me vetëm 1 pikë të marrë (barazimi 2-2 kundër skuadrës vendase). Kuqezinjtë nuk kanë mundur të bëjnë asgjë në turin e dytë eliminator për evropianin e kësaj moshe, të njohur ndryshe si "Elite Raund". Fituesja e këtij grupi është Gjermania, e drejtuar nga trajneri i mirënjohur, Horst Hrubesh, që ka fituar dy nga tri ndeshjet në grup: ata nuk kanë vuajtur aspak për t‘u kualifikuar në fazën finale të Evropianit U-19, që do të zhvillohet në Republikën Çeke. Gjermanët fituan 5-2 me Sllovakinë, ndërsa në takimin e parë në grup kishin mundur 3-0 Shqipërinë. Përballë Kroacisë ata nuk morën më shumë se barazimi 2-2. "Jam shumë i lumtur me kualifikimin për në fazën finale të Evropianit", tha Hrubesh. Për kuqezinjtë e Shehut ky është një zhgënjim i madh, pasi shpresohej të evitohej vendi i fundit në grup.