E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter e bën të lumtur

Sulmuesi maqedonas, Goran Pandev ka theksuar se përsëri kënaqet në futboll dhe në Inter – ku erdhi gjatë janarit nga Lazio – ndihet si në shtëpinë e tij.

Pjesën e parë të sezonit e huqi për shkak të refuzimit të vazhdojë kontratën me klubin romak dhe për këtë arsye ishte lënë jashtë ekipit deri në afatin kalimtar të janarit, kur iu bashkua gjigantit milanez.

Në pesë ndeshje me fanellën e Interit, Pandev shënoi tri gola dhe në mënyrën më të mirë iu kthye fushës së gjelbër. Ai realizoi edhe të dielën në fitoren 3-0 ndaj Cagliarit në Giuseppe Meazza.

“Tashmë kam harruar të gjithë ato që ndodhën në të kaluarën dhe ndihem sikur kam qenë këtu përgjithmonë. Punoj mirë, jam kthyer në fushë dhe kënaqem në futboll. Falë Interit, prapë kënaqem në fushë”, tha Pandev për mediet italiane.

Ylli maqedonas u shpreh jashtëzakonisht i lumtur me vendimin për transferim te kampioni i Italisë. “Nuk mund të kërkoj më tepër. Luaj në ekip të shkëlqyeshëm dhe kjo e bën punën më të lehtë. Por, besoj se unë, si dhe i gjithë ekipi, mund të luajë edhe më mirë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›