E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, ekipi i vitit

Nga Express më 12 janar 2011 në ora 19:33

Klubi italian, Inter është ekipi më i mirë i vitit 2010. Kështu ka vendosur Instituti Ndërkombëtar për Histori dhe Statistika të Futbollit (Iffhs), i cili e ka publikuar listën e ekipeve më të mira të vitit 2010. Kjo listë është bazuar në renditjen e përmuajshme të klubeve dhe në rezultatet e tyre në të gjitha kompeticionet.

Kampioni botëror, evropian dhe italian ka grumbulluar 300 pikë, ndërsa ndiqet nga Bayern Munchen, kampion gjerman dhe nënkampion evropian, që ka grumbulluar 268 pikë. Lideri i klasifikimit të fundit, Barcelona, e ka mbyllur vitin 2010 në pozitën e tretë, me 266 pikë.

Pozita e katërt është rezervuar për fituesin e Europa League, Atletico Madrid, që përcillet nga klubi argjentinas Estudiantes, i cili është i pesti. Një fakt për t’i habitur të gjithë është pozita e gjashtë, e cila i takon ekipit në krizë të thellë, Liverpool. Pozita e shtatë i takon ekipit brazilian Internacional de Porto Alegre.

Kryesuesi aktual i Premierligës, Manchester United është i teti, përpara kampionit aktual anglez, Chelsea. Dhjetëshen më të mirë e përmbyll Porto, duke e lënë jashtë Real Madridin, i cili është i 11-ti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›