E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupat e Europes Platini Kush gabon duhet te paguaje

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka kërcënuar me përjashtim nga Kupat e Evropës të gjitha skuadrat me bilanc negativ. Deklarata e numrit një të qeverisë evropiane të futbollit ka ardhur pas prezantimit të projektit të ri për “Fair-play financiar”, ku asnjë skuadër nuk mund të shpenzojë më shumë se sa fiton.

“Kush gabon duhet të paguajë. Korrektësia financiare është një projekt kompleks, por jetik për të ardhmen e futbollit. Të gjitha skuadrat duhet të përshtaten me këtë projekt në të kundërt rrezikojnë te përjashtohen nga Kupat e Evropës”, ka thënë Platini, i cili e ka cilësuar “imorale” situatën e borxheve të klubit.

Sipas regjistrit financiar të UEFA-s, e cila analizon situatën ekonomike të 665 klubeve evropiane, më shumë se gjysma e tyre e ka mbyllur vitin 2009 me një bilanc negativ prej 1.2 milardë euro. Kjo situatë, është cilësuar si shumë e rëndë nga Michel Platini, i cili ka premtuar grusht të hekurt. Por, skuadrat që rrezikojnë më shumë janë ato më të mëdha të Evropës.

Në vitin 2008 lista e  klubeve që kishin akumuluar më shumë borxhe kryesohej nga Chelsea me 791 milionë euro, Manchester United me 722 milionë, Barcelona me 438 milionë, ndërsa më pas renditeshin Reali i Madridit, Interi dhe Milani. Të gjitha këto skuadra duhet të adaptojnë buxhetin e tyre me projektin e ri të UEFA-s, pasi mungesa në Kupat e Evropës do të kishte pasoja shkatërrimtare për to. Liga e Kampionëve është kompeticioni me fitimprurës për skuadrat më të mëdha të Evropës.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›