E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter fiton kupen

Nuk mund ta mbyllte sezonin pa trofe dhe e shmangu një gjë të tillë. Interi i Milanos reagoi me karakterin e kampionëve duke fituar finalen e Kupës së Italisë, 3-1 ndaj Palermos, falë edhe një mrekullie si Samuel Eto, autor i dy golave.

Në një ndeshje të fortë në stadiumin “Olimpico” të Romës, zikaltërit u treguan skuadra më e mirë ndonëse edhe palermitanët patën disa raste.

Eto shënoi në minutën e 26-të kur një top i marrë nga Uesli Snajder u shërbye për kamerunasin dhe ky nuk gaboi me të djathtën duke shënuar me një diagonale në portën e Sirigusë.

Në pjesën e dytë, ndërsa Palermo po insistonte duke pasur iniciativën, skuadra e Leonardos shënoi golin e dytë. Sërish autor ishte Samuel Eto. Edhe këtë herë ai u shërbye nga Snajder dhe shënoi gjithashtu me të djathtën.

Gjithsesi, Palermo nuk u dorëzua dhe prania në fushë e Fabricio Mikolit bëri të vetën. Ishte një krosim pikërisht i Mikolit që ndihmoi Munjozin të shënonte me kokë duke shkurtuar diferencën dhe duke i dhënë shpresë siçilianëve.

Por kjo shpresë mori menjëherë dy goditje të rënda radhazi. Fillimisht në minutën e parafundit, ishte shënuesi i golit Munjoz që u përjashtua nga loja me karton të kuq për një faull të rëndë ndaj Mekdonald Marigës dhe më pas, ndërsa loja po përfundonte, Diego Milito shënoi golin e tretë për Interin i ndihmuar nga Goran Pandev, ndërsa pak më parë Eto kishte goditur traun.

Kjo është kupa e dytë radhazi për Interin dhe e para si trajner për Leonardon. Zikaltërit kanë tani 7 kupa në historinë e tyre, duke qenë vetëm 2 kupa larg rekormenëve Roma e Juventus dhe 2 kupa sipër rivalit të qytetit, Milanit. Kjo fitore bëri që të kemi një derbi të Milanos në Superkupën e Italisë në muajin gusht.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›