E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, gati Pandev, ikën Arnautoviç

Në fillim të vitit tjetër, kur Samuel Eto do të jetë i angazhuar me Kombëtaren kamerunase në Kupën e Afrikës, Interi do të ketë nevojë për një sulmues më tepër.

Në fakt, ky duhet të ishte Arnautoviç, i cili tashmë e ka kaluar dëmtimin. Por gjiganti austriak duket se nuk e ka bindur trajnerin Hoze Mourinjo.

Talenti nuk i mungon, por ajo që e bën portugezin të mos jetë i bindur te sulmuesi i ardhur gjatë merkatos së verës, është sjellja e tij në stërvitje, aq më tepër që kilogramët e tepërt po e kushtëzojnë rikthimin e tij në formë.

Në këtë pikë, koha e mbetur në dispozicion për të bindur “Të veçantin” ose për ta bërë që të ndryshojë mendje, është vërtet e pakët. Gjithashtu, 9 milion eurot që Interi do t’i derdhte në arkat e Tventes, mund të shkojnë për Lacion.

Megjithë heshtjen e javëve të fundit, kontaktet nuk kanë munguar. Sigurisht që presidenti Lotito nuk mund të kërkojë më 18 milion euro, ashtu siç bëri gjatë merkatos së verës. Kontrata e Pandevit skadon në qershor të vitit tjetër dhe pas kësaj kohe, lojtari largohet me çmimin zero.

Prandaj, është në interes të të dy klubeve të gjejnë sa më shpejt një marrëveshje dhe ta nënshkruajnë atë me rihapjen e merkatos në janar. Duket se Lacio kërkon të bëjë pjesë të marrëveshjes edhe disa lojtarë të rinj nga radhët e Interit, por Branka nuk do të heqë dorë nga talentet, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Mourinjo ka vënë “veton” sidomos për Krin, që duket se ka zënë një vend në skuadrën e parë, edhe pse në pankinë, gjatë ndeshjeve të fundit. Dhe slloveni mund të “ngrihet në detyrë” nëse Vieira largohet në janar.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›