E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Inter, je një skuadër m..."

Hoze Murinjo kritikon me tone të ashpra Interin, duke theksuar se tri titujt e fituar në këto sezonet e fundit të Serisë A nuk kanë ardhur për meritë të skuadrës. Diçka mund të përjashtohet me siguri: tekniku luzitan nuk synonte të fitonte simpatinë e tifozëve juventinë. Pra, jo për të mbështetur të gjithë ata që mendojnë se trofetë e zikaltërve nuk kanë peshë reale. I pari sepse u fitua në tavolinë, i dyti sepse u fitua në një kampionat të përgjysmuar nga penalizimet, ndërsa i treti sepse u sigurua vetëm në 20 minutat e fundit, falë "magjive" të ish-sulmuesit bardhezi, Zlatan Ibrahimoviç. Absolutisht jo! Pas humbjes tronditëse në Bergamo me Atalantën, Murinjo ka lëshuar deklarata të forta (me tonin e përdorur, ai dukej një oficer ushtrie) kundër skuadrës dhe rihapi debatin për titujt, në mënyrë që të "ngacmonte" krenarinë e zikaltërve. Edhe pse dikujt mund të mos i kenë pëlqyer këto fjalë, trajneri synonte të shkundte lojtarët, në mënyrë që me paraqitjet e ardhshme të ndryshonin sjellje dhe të tregojnë se kampionatet e fundit janë fituar me meritë.

Akuzat

"Titullin e parë e fituat në sekretari, të dytin sepse nuk kishit asnjë rival, ndërsa të tretin e morët në minutat e fundit. Jeni një skuadër m...". Sipas disa gazetave italiane, janë këto fjalët e përdorura nga Murinjo në dhomat e zhveshjes, menjëherë pas humbjes me Atalantën. Trajneri kërkoi përgjigje nga skuadra, që iu duk e vetëkënaqur dhe pa grintë, por fjalët e tij kanë ardhur si një dush i ftohtë në ambientet e klubit. Duket se presidenti Masimo Morati është nxehur pas këtyre akuzave. Ndërkohë, "Sky Sport Italia" theksonte se në fund të ndeshjes Murinjo ka hedhur me inat bllokun e tij të shënimeve, në shenjë pakënaqësie për rezultatin. Humbja me Atalantën ishte e dyta për Interin në këtë sezon, pas asaj 1-0 në derbin me Milanin. I vetmi trajner që në të kaluarën ishte shprehur me këto tone është Marçelo Lipi. Pas humbjes në takimin e parë të sezonit 2000/01, ai tha: "Më vjen turp nga kjo skuadër". Morati e shkarkoi menjëherë nga detyra.

Kupa

Pas atyre fjalëve të Murinjos, skuadra ka reaguar. Të mërkurën në mbrëmje Interi eliminoi Romën nga Kupa e Italisë me gola të Adrianos dhe Ibrahimoviç. Megjithatë, triumfi është karakterizuar nga gabimet e gjyqtarit Orsato dhe asistentëve të tij. Ashtu si edhe në sfidën me Xhenoan, në këtë aktivitet detyra e zikaltërve është "lehtësuar" nga "xhaketat e zeza": në aksionin e golit të fitores, Samuel ishte në pozicion jashtë loje, por aksioni është cilësuar i rregullt dhe u finalizua me rrjetën e Ibrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›