E Diel, 1 Nëntor 2026

Agopuntura, "Gënjen" mendjen dhe na shëron

Agopuntura funksionon, në rast se pacientëve nuk u tregon që në të vërtetë nuk funksionon. Duket si paradoks, por ky është thelbi i një prej studimeve më të mëdha të kryera ndonjëherë mbi këtë formë antike të terapisë kundër nevralgjive të ndryshme dhe shumë lloje të tjera dhembjesh. E përdorur prej pothuajse 5 mijë vjetësh në Lindjen e largët, prej kohësh ajo ka gjetur përdorim të gjerë si formë e mjekësisë alternative edhe në Perëndim. Megjithatë, efektet e saj terapeutike në pjesën më të madhe të rasteve "gjenden" në mendjet e pacientëve dhe ndikojnë psikologjikisht mbi ta, njëlloj si një placebo: d.m.th duke qenë të bindur se po marrin kurën e duhur, reagojnë pozitivisht, gjë që sjell jo vetëm lehtësimin e dhembjeve, por në shumë raste edhe largimin përfundimisht të tyre, edhe pse në të vërtetë nuk ka asnjë efekt të tillë. Eksperimenti provoi se, edhe pse aget vendoseshin në pjesë të gabuara të trupit dhe jo përgjatë linjave të presionit ku duhen vendosur, për të vepruar mbi sistemin nervor, rezultatet mbi të sëmurët janë pothuajse të njëjta. "Nëse nuk është mënyra në të cilën vendosen aget ajo që përcakton shërimin, atëherë duhet të jetë psikika njerëzore që provokon një ndjenjë të tillë shërimi apo qetësimi", komentojnë shkencëtarët. Studimi u publikua në "Cochrane Library", revista e "Cochrane Collaboration", organizatës që merret me kritikat dhe mangësitë për studimet e ndryshme në shkallë botërore dhe pritet që të shkaktojë polemika të mëdha tek ata që prej mijëra vjetësh u besojnë efekteve terapeutike të kësaj forme të mjekësisë alternative. Studimi u bë nga shkencëtarët e Qendrës për Kërkime Mjekësore në Universitetin Teknik të Mynihut. Ai ekzaminoi me hollësi rreth 33 eksperimente të bëra mbi një kampion shumë të madh pacientësh, rreth 6736 të tillë, ku thuajse të gjithë vuanin nga migrena apo dhembje shumë të forta koke. Disa pacientë iu nënshtruan agopunturës tradicionale, duke ndjekur pikat e presionit të trupit, ndërsa të tjerët një forme të rreme agopunture, me aget e vendosura në vende të gabuara dhe jo në mënyrë të rregullt. Rezultati ishte me të vërtetë befasues, duke qenë se të gjithë deklaruan se patën përmirësime nga ky trajtim, i krahasueshëm me ato që arrihen nga përdorimi i analgjetikëve ose ilaçeve të tjera mjekësore për të zvogëluar dhembjen. "Pjesa më e madhe e avantazheve klinike duket se vjen nga efektet që nuk lidhen me vendosjen e ageve, por me efektin që në mekësi quhet efekti placebo", pohon profesor Klaus Linde, i cili ka drejtuar kërkimin. "Me këtë, nuk duam të themi se agopuntura nuk funksion fare, por se zgjedhja e pikave të caktuara të trupit duket më pak e rëndësishme se sa mendojnë ata që e kanë praktikuar këtë teknikë deri më sot", vazhdon më tej ai. Më e rëndësishme është bindja e pacientit: nëse ai beson se kura është e vlefshme, truri i tij do të reagojë në mënyrë të tillë që do t‘i duket se ka me të vërtetë efekte qetësuese. Sipas asaj që pohojnë mjekët anglezë, agopuntura ka mbi të gjitha një karakter psikologjik. Bëhet fjalë vetëm për një hipotezë: "Pa dyshim që do të jenë të nevojshme kërkime më të specifikuara për të kuptuar me saktësi se si funksionon kjo terapi, përpara se t‘i këshillohet pacientëve për t‘u përdorur", thotë profesor Linde. "Mjekët duhet ta dinë se cilat janë vërtet dhe se sa zgjasin efektet terapeutike të agopunturës dhe nëse terapistët më ekspertë arrijnë rezultate shumë herë më të mira se sa ata që kanë kryer vetëm disa trajnime bazë".

Efekti placebo

Efekti placebo tregon se njerëzit mund të çlirohen nga simptoma të ndryshme sëmundjesh, vetëm duke besuar se kurat janë efektive, pavarësisht nëse ato janë apo jo. Ai quhet ndryshe shërim spontan. Fjala placebo vjen nga latinishtja, që do të thotë "dua të pëlqej". Ajo është një tabletë ose preparat mjekësor, që nuk ka asnjë substancë ndikuese. Në përgjithësi, kjo fjalë përdoret thjesht për diçka pa kurrfarë ndikimi, që megjithatë shkakton një efekt. Në mjekësi, dallohen disa lloje të placebos: placebo të vërtetë ose të pastër: kështu emërohen medikamentet, të cilat përmbajnë vetëm laktozë ose amidon, si dhe mjete të tjera ndihmëse, si korrigjues të shijes ose ngjyrës. Studimet kanë treguar se gjatë periudhave të traumave, njerëzit ngulitin përvoja që kanë nivele të larta përmbajtjeje emocionale. Trupi mund të mbajë informacion përtej nivelit të ndërgjegjes, si mekanizëm mbrojtës, kështu që kujtimet priren të shkëputen ose të kthehen në amnezi. Informacioni nuk është i vlefshëm në gjendjen normale të ndërgjegjes dhe mekanizmi mbrojtës i trupit na mban larg nga pozicioni ku vetëdija e trup-mendjes sonë e interpreton të dhimbshme apo traumatike. Prandaj mendohet se mendja e njeriut ka fuqi shëruese.

Çfarë është agopuntura?

Agopuntura është një teknikë terapeutike, përmes së cilës synohet qetësimi i dhembjeve të ndryshme në trup. Aplikimi i saj bëhet përmes vendosjes së ageve në pjesë të ndryshme të trupit, që duhet bërë nga njerëz shumë të specializuar. Në Kinë, zbatimi i kësaj teknike është bërë që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit, që sipas studimeve arkeologjike datojnë me kohën e dinastisë Han. Disa shekuj më parë, teknika u përhap në vende të Azisë dhe tani zbatohet pothuajse në të gjithë botën. Aktualisht, ajo është pjesë e mjekësisë tradicionale kineze dhe disa forma të saj janë përshkruar edhe në letërsinë e mjekësisë tradicionale koreane, që quhet "Yakchim", njëlloj si në Indi. Në vendet perëndimore, agopuntura praktikohet kryesisht nga mjekët që e konsiderojnë atë pjesë të mjekësisë alternative. Mjekësia tradicionale e Kinës është përhapur në l30 vende e rajone të botës. Numri i punonjësve kinezë të mjekësisë tradicionale kineze jashtë vendit ka arritur në qindra-mijëra vetë. Tani vetëm në Angli, Francë dhe Holandë janë ngritur më se 7 mijë klinika të mjekësisë tradicionale kineze dhe disa miliona pacientë në vit përdorin shërbimet mjekësore kineze, si ilaçe bimore kineze, masazhe dhe sigurisht agopuntura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›